A po krijohen kushte për rifillim të dialogut Kosovë-Serbi?

Ani pse dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur që nga vjeshta e vitit 2018, një marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd është nënshkruar ditë më parë në ambasadën amerikane në Berlin, me iniciativë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo në një formë po shihet si rifillim i bisedimeve mes dy shteteve.

Pas fushatës së ashpër lobuese kundër Kosovës në diplomacinë e jashtme, të zhvilluar vazhdimisht nga Serbia, në nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj i vendosën taksë 100% mallrave serbe. Kjo u bë si kundërpërgjigje për veprimet e pushtetit kriminal të Serbisë që jo vetëm e mohon gjenocidin por edhe po lobon te shtetet që të tërheqin njohjet për Kosovën, e në të njëjtën kohë pengonte vendin tonë drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Që nga ajo kohë janë ndërprerë bisedimet, meqë Serbia kishte deklaruar se nuk e vazhdon dialogun derisa taksa mbetet në fuqi.

Por një ndërhyrje amerikane, bëri që të nënshkruhet një marrëveshje për lindjen ajrore Prishtinë-Beograd, e që po shihet sinjal për rifillim të dialogut.

Analisti Rasim Alija në një deklaratë për KosovaPress, këtë e sheh si mundësi për rifillim të dialogut, veçse problematike e konsideron çështjen e formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Sipas tij, krijimi i institucioneve do të zgjidhte bllokadën në çështjen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, partitë politike në Kosovë nuk kanë ndonjë platformë si t’i qasen dialogut me Serbinë.

Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për KosovaPress, se dialogu me Serbinë praktikisht ka rifilluar.

Sipas tij, kushtet për rifillim të dialogut veç janë krijuar, ani pse kërkesë e Serbisë mbetët heqja e taksës 100%.

Ai shton se formimi i institucioneve të Kosovës është tejet i rëndësishëm për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, ka edhe një ndryshim të qasjes amerikane sa i përket procesit të dialogut, të cilët siç thotë ai, janë duke synuar që të fusin edhe elementin e zhvillimit ekonomik si një prej aduteve që duhet ta ketë ky proces në mënyrë që të garantohet sukseshmëria e kësaj marrëveshje.

Ndërsa, Ariana Qosaj njohëse e rrethanave aktuale në vend, thotë se pa formimin e qeverisë së re të Kosovës nuk mund të ketë vazhdim të dialogut.

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se kishte biseduar me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, me të cilin tha se janë pajtuar rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare që nënkupton njohje reciproke.

Ndërsa gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd ka qëndruar përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Grenell ka deklaruar se Serbia duhet ta ndalë fushatën e egër kundër pavarësisë së Kosovës, dhe Kosova duhet të heq taksën.