Kuvendi

A po iu mundësohet vazhdimi i shkollimit të miturve në Qendra Korrektuese, flet Ministri Bytyqi

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi gjatë seancës plenare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, i ka parashtruar një problem Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi.

Kurteshi ka thënë se në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ku shumica e të miturve janë duke vuajtur dënimin që iu ka përcaktuar me ligj, të miturit nuk po kanë kushte shkollimi.

Kurteshi ka thënë se të njëjtën çështje, MASHT-it ia kishte theksuar edhe Avokati i Popullit në muajin nëntor, ku i kishte kërkuar kësaj Ministrie, mbështetjen e Qendrës Korrektuese, pasi kjo e drejtë iu garantohet me ligj dhe kjo ministri e ka për obligim përmbushjen e detyrave të veta, raporton Ballkani.info.

Ministri Bytyqi ka thënë se janë ende në shqyrtim dhe komunikim intensiv me Avokatin e Popullit, pasi çështja nuk ishte përcaktuar se a ka të bëjë me shkollimin e të miturve apo shkollimin e lartë të të burgosurve.

Tutje, Bytyqi ka theksuar se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë janë në pritje të një përgjigje dhe se kjo Ministri nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga ndonjë Qendër Korrektuese në Kosovë. /Ballkani.info/