A po i shtynë BE-ja vendet e Ballkanit Perëndimor në “gjirin” rus?

“Mos funksionimi i BE-së mund të ilustrohet më së miri në shembullin e dialogut ndërmjet Beogradit zyrtar dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga BE”, vlerëson instituti Internacional IFMES.

Sipas këtij instituti, edhe pse e ashtuquajtura marrëveshja e Brukselit për dialog u nënshkrua më 19 prill të 2013-ës, dialogu është afër përfundimi dhe fati i tij nuk është i sigurt. Dialogu u mbajt në kushte jo-transparente, derisa, në anën tjetër, BE kërkon transparencë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, precizohet më tej, transmeton lajmi.net.

Tutje, IFMES ka marrë në shqyrtim edhe fatin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, sikundër janë rasti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Vendeve të apostrofuara do u kumtohet data e saktë për fillimin e negociatave për anëtarësim në unionin evropian në takimin e rregullt vjeshtor të Këshillit Evropian, që do mbahet më 17 dhe 18 tetor në selinë e Brukselit.

Edhe pse rëndësia e takimit të liderëve të BE është përqendruar në ‘Brexit’ në 31 tetor të këtij viti, Ballkani Perëndimor pret që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë të marrin datën e saktë për fillimin e negociatave me BE-në, shkruan Instituti Internacional IFMES, transmeton lajmi.net.

Ngërçi i zgjerimit, sipas tyre, në rrafshin praktik shtynë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt “gjirit rus”.

“BE me ngërçin e saj të zgjerimit praktikisht i shtyn rajonet e Ballkanit Perëndimor në “përqafimin” rus, për të fajësuar në fund ato vende për marrëdhëniet e tyre të ngushta dhe bashkëpunimin me Rusinë”, konstatohet tutje nga instituti internacional për studime të Ballkanit dhe Lindjes së Mesme.

Një shpërfillje të tillë të mungesës së bashkërendimit të planit të Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, pohon tutje IFMES, ka rrezikuar edhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.