A po i pamundëson opsionet tjera për krijimin e qeverisë vendimi i PDK-së për të qëndruar në opozitë?

Duket se Partia Demokratike e Kosovës nuk po dëshiron t’ia kthej Lëvizjes Vetëvendosje ato që kjo e fundit ia kishte bërë asaj.

Në vitin 2014, edhe pse PDK-ja kishte fituar zgjedhjet me 30.38 për qind, dukshëm më shumë se tani Lëvizja Vetëvendosje, Kurti kishte bërë përpjekje të pandalshme si pjesë e bllokut opozitar që Hashim Thaçit si fitues të zgjedhjeve t’ia pamundësonte rizgjedhjen kryeministër.

Asokohe nuk vlente aspak vullneti i popullit dhe argumentet e tashme rreth zgjedhjeve apo demokracisë, të cilat po i dëgjojmë vazhdimisht nga njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas bllokadës disamujore, për arritjen e koalicionit qeveritar, Hashim Thaçi si fitues i zgjedhjeve kishte lëshuar rrugë dhe e kishte bërë të mundur krijimin e institucioneve, duke ia dhënë LDK-së edhe postin e kryeministrit dhe duke ndarë të gjithë resorët qeveritarë me formulën 50 me 50.
Lidhja Demokratike e Kosovës si parti e dytë, me një diferencë shumë më të thellë në raport me Partinë Demokratike të Kosovës, si kompromis politik kishin arritur që Mustafën ta bëjnë edhe kryeministër, raporton Ballkani.info

Në zgjedhjet e vitit 2014, PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi kishte fituar 30.38 për qind ose gjithsej 222.181 vota, kurse LDK-ja 25.24 për qind ose 184.594 vota dhe tërë pushtetin e kishin ndarë në mënyrë të barabartë.
Thaçi pas më shumë se 1 viti si zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, kishte lënë karrierën partiake dhe ishte bërë president.
Lëvizja Vetëvendosje tash ka fituar vetëm 26,27 për qind ose gjithsej 221.001 vota, kurse LDK-ja gjithsej 24.54 për qind ose 206.516 vota, pra kanë rreth 1 për qind diferencë dhe arritja e kompromisit për ndarje të barabartë duket se po është shumë më e vështirë.

Në vitin 2014, dy protagonistët e tashëm kryesorë, Kurti dhe Mustafa, e kishin bllokuar Thaçin si fitues të zgjedhjeve. Kurse, tash, veçanërisht Kurti si fitues i zgjedhjeve po argumenton krejtësisht ndryshe, duke thënë që vullneti i qytetarëve që kanë votuar për të nuk mund të tjetërsohet.
Megjithatë, nëse lexohen vendimet dhe komentarët juridik për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë, duket se vendimi i liderit të tashëm të PDK-së, Kadri Veselit, për të qëndruar në opozitë e ka pamundësuar një alternativë të re për krijimin e qeverisë.

Në të kundërtën, edhe një koalicion ndërmjet LDK-së dhe PDK-së së bashku me minoritetet, mund ta linte sërish në opozitë Lëvizjen Vetëvendosje, me marrjen e vetme të pozitës së kryeparlamentarit nga ana e kësaj të fundit, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga këto zgjedhje.

Bazuar në interpretimet kushtetuese, herën e dytë, mandarin për krijimin e qeverisë, presidenti mund t’ia japë kujtdo që e garanton se e ka shumicën në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /Ballkani.info/