VV

A po i nxitë Konjufca anëtarët e VV’së për protesta?: Policia nuk duhet të ndërhynë

Glauk Konjufca, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme ka befasuar me deklaratën e tij duke thënë se Policia e Kosovës nuk duhet të ndërhynë në organizimin e protestave në shesh.

Konjufca ka deklaruar se ata nuk duhet të ju thonë aktivistëve të Vetëvendosjes të mos dalin në protesta, madje thotë se Policia e Kosovës nuk duhet të ndërhynë në këto protesta.

Ai po thotë se njerëzit kanë drejtë të dalin në shesh dhe ata po dalin në mënyrë të organizuar dhe po mbajnë distancën deri në 2 metra.

“Nuk do të ju themi të mos dalin në protesta”, tha Konjufca duke deklaruar se “Njerëzit kanë të drejtë të dalin në shesh dhe ata po dalin në mënyrë të organizuar në shesh dhe janë larg 2 metra nga njëri-tjetri, me të vërtetë unë nuk jam për ndërhyje policore”, tha Konjufca, transmeton Gazeta Metro.

Konjufca ka pranuar se ka pasur aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në ‘provë protestën’ e mbajtur në shesh, ndryshe nga Kurti që i konsideronte qytetarët, Konjufca ka thënë se ishin ‘disa aktivistë’ që u përfshinë.

“Disa aktivistë është e vërtetë se ju kanë bashkëngjit, madje kanë thënë se do të vazhdojnë me këtë aktivitet”, tha Konjufca.

Po ashtu Konjufca tha se mendon se të gjithë ata persona që ishin në sheshin e Prishtinës kishin pasur numrin e fundit të letërnjoftimit, duke aluduar se kanë pasur kohën e lejuar të dalin në ‘protestën provë’.

“Unë besoj që e kanë pasur numrin e fundit të letërnjoftimit”, tha Konjufca në Interaktiv.