A po i jep mbështetje Haradinaj, Sami Lushtakut për kryetar të Skenderajt?

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar familjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Por Haradinaj nuk shkoi i vetëm, por me veti e ka marrë edhe kandidatin e PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtakun.

Haradinaj në lidhje me këtë vizitë ka shkruar në Facebook, se përtej dallimeve politike, beson fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare, pastërtinë e luftës dhe atë të Hashim Thaçit.

“Përtej dallimeve politike, unë besoj fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare, pastërtinë e luftës sonë dhe pafajësinë e të gjithë bashkëluftëtarëve, në këtë rrafsh edhe të Hashim Thaçit!”, ka shkruar mes tjerash ai.

Kjo vizitë e përbashkët Haradinaj-Lushtaku në Prekaz, mund të merret edhe si mbështetje e Haradinaj për Lushtakun në garën për kryetar të Skenderajt.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-pjesëtarë tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.