A po e pengon taksa idenë për ndryshimin e kufirit?

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj prodhimeve të Serbisë ka rezultuar me ndërprerjen e procesit të dialogut ndërmjet dy vendeve dhe rrjedhimisht edhe për pengimin e mundësisë që ideja për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi të shtrohet në dialog, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Por, sipas tyre, ky është vetëm rezultat anësor, i cili nuk ishte planifikuar qysh më parë nga ekzekutivi i vendit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e kundërshton fuqishëm idenë e ndryshimit të kufijve si zgjidhje e mundshme e kontestit Kosovë-Serbi, në disa raste ka thënë se taksa ndaj produkteve të Serbisë është vendosur, ndër të tjera edhe për pengimin e ndryshimit të kufirit.

“Me veprimin e marrë për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra, taksa prej 100 për qind, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarjeje. Kosova nuk jep tokë për njohje dhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia”, pati thënë Haradinaj, në një prej paraqitjeve të tij.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendosja e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë nga Qeveria e Kosovës ishte arsyetuar si kundërpërgjigje ndaj politikës dhe diplomacisë agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Sipas tij, fillimisht nuk ishte ditur që vendosja e kësaj takse do të kishte për efekt ndërprerjen e dialogut nga Serbia.

“Pasi që Serbia, respektivisht presidenti (Aleksandar) Vuçiq, e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me taksën, u pa që taksa po e pengon dialogun. Kjo duket se i shkoi në favor edhe kryeministrit Haradinaj, i cili përmes taksës e çoi përpara kundërshtimin e tij ndaj ndryshimit të kufijve. Pra, vendosja e taksës nuk e kishte qëllimin kryesor pengimin e dialogut, por me veprimin e Serbisë, për kushtëzimin (e dialogut) me heqjen e taksës, kjo po del se mund ta pengojë dialogun dhe deri më tash e ka bërë këtë”, tha Mushkolaj.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që me vet faktin që vënia e taksës për prodhimet e Serbisë dhe mospezullimi i saj nga Qeveria e Kosovës, kanë ndikuar në ndërprerjen e dialogut, rrjedhimisht ka ndikuar edhe në mosavancimin e idesë për ndryshim të kufirit Kosovë-Serbi. Sipas tij, në praktikë, i bie që kryeministri ka të drejtë, por mbetet pikëpyetje nëse taksa për mallrat e Serbisë është mënyra më e mirë për ta ndaluar idenë e ndryshimit të kufirit, si zgjidhje e kontestit ndërmjet dy vendeve. Siç thotë ai, kjo masë e ka ndaluar tërësisht dialogun, madje edhe për çështjet që nuk lidhen domosdo me idenë e ndryshimit të kufirit.

“Si mekanizëm mbrojtës kjo mund të merret dhe mund të përdoret. Nga ana e kryeministrit apo kujtdo brenda Qeverisë, kjo mund përdoret si një lloj karremi dhe po përdoret për ta ndalë idenë e shkëmbimit të territoreve. Mirëpo, praktikisht, ndalja e kësaj ideje duhet të institucionalizohet, duhet të formalizohet përmes veprimeve në institucionet e Republikës së Kosovës. Taksa mund të konsiderohet si një masë e përkohshme, e cila e ka ndalë idenë e këmbimit të territoreve, mirëpo assesi jo si përfundimtare, sepse këtu duhet veprim shtetëror për një gjë të tillë”, theksoi Murati.

Megjithëkëtë, njohësit e zhvillimeve politike, thonë se kryeministri Haradinaj, do të vazhdojë ta mbajë në fuqi vendimin për taksën ndaj prodhimeve të Serbisë.

Analisti Mushkolaj thotë se partneri më i madh qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vazhdojnë përpjekjet që ta bindin Haradinajn për pezullim të kësaj takse.

“Ende po provojnë që t’ia mbushin mendjen Haradinajt që ta heqë taksën dhe që dialogu të vazhdojë. Tash kemi mbetur, si vend, në njëfarë pozicioni interesant, ku Haradinaj po pret garanci ndërkombëtare, me shkrim, në radhë të parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se çështja e integritetit territorial të vendit nuk do të vihet për diskutim në bisedime. Në anën tjetër, e kemi presidentin Thaçi, i cili, në fakt, po i ngutet që ta vazhdojë idenë e tij për ‘korrigjimin e kufirit’, ndonëse këto muajt e fundit nuk është se e ka promovuar shumë ose që është marrë shumë me të”, u shpreh Mushkolaj.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe analisti Murati. Sipas tij, Haradinaj do të ketë tendenca që ta mbajë në fuqi taksën edhe për shkak se kjo i ka reflektuar pozitivisht në opinion, gjë që siç thotë ai, është vërejtur edhe në sondazhet e ndryshme. Por, Murati vlerëson se kjo nuk është politikë e mirë e Haradinajt.

“Nuk është politikë e mirëfilltë dhe nuk është politikë e orientuar mirë, sepse kjo po na paraqet probleme të natyrave të ndryshme, sidomos me partnerët ndërkombëtarë. E dimë se si i kemi raportet me SHBA-në, prej momentit të imponimit të taksës. Kështu që, besoj që Haradinaj do të mundohet ta mbajë taksën për aq gjatë sa mundet dhe që nuk e rrezikon ndoshta as pozitën e tij, si kryeministër i Kosovës”, vlerësoi Murati.