A po e paralajmëron Kurti “Zajednicën”? Çka thotë ai për bisedën që pati me Chollet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me Këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, ka biseduar për propozimin evropian.

Kurti, me anë të një postimi në ‘Twitter’, ka deklaruar se e ka pranuar propozimin evropian, ndërsa ka shtuar se normalizimi i plotë duhet ta sjellë njohjen reciproke në qendër.

“Telefonatë e këndshme me Derek Chollet. Ja konfirmova mbështetjen për propozimin e BE-së si bazë e mire për bisedime të mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka deklaruar shefi i ekzekutivit.

Më tej, ai ka lënë pak ambige çështjen e “Zajednicës”, kur ka përmendur “respektimin e të drejtave të minoriteteve”.

“Normalizimi i plotë kërkon njohjen reciproke në qendër, si dhe respektim të të drejtave të minoriteteve, në të dy shtetet”, vijon Kurti.

Një burim nga Brukseli, i cituar nga mediat serbe, ka bërë të ditur se pranimi i planit franko-gjerman kupton njohje ‘de facto’ dhe pranimin automatik të themelimit të “Zajednicën”. /Demokracia.com/