Kryetarin e Prizrenit

A po e injorojnë Kurti dhe Konjufca, Mytaher Haskukën?

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sot ka bërë homazhe te lapidari i të rënëve në Lagjen e Trimave (ish-Tusus) në Prizren, ku para 22 vitesh forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan 27 banorë të kësaj lagjeje.

Sipas një njoftimi për media, Konjufca tha se është në këtë vend për të nderuar dhe për t’u përkulur para të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për liri, duke përmendur Lagjen e Trimave si një shembull se si duhet rreshtuar në krah të luftës çlirimtare.

Mirëpo ajo që bie në sy gjatë këtyre homazhe është mungesa e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, shkruan Ballkani.info.

Nuk dihet arsyeja e mungesës së Haskukës në këtë ditë kaq të rëndësishme për Prizrenin dhe me faktin se aty ishte Konjufca, bashkëpartiaku i tij në VV.

Në njoftimin e lëshuar dje nga Komuna e Prizrenit, thuhej se nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu së bashku me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me drejtorët komunalë do të bëjnë homazhe pranë varrezave të martirëve në Lagjen e Trimave, në përkujtim të 22-vjetorit të masakrës në Tusus.

Pra, Haskuka ka munguar edhe në homazhet që ka bërë sot Kurti, sipas njoftimi.

Mungesa e sotme e Haskukës lë shumë pyetje pa përgjigje. A do të thotë kjo se Kurti dhe Konjufca po distancohen nga Haskuka në prag të zgjedhjeve lokale apo ka diçka tjetër këtu?

Të kujtojmë se Haskukës i kanë dalë kundër në vendimet e tij edhe shumica e asambleistëve të VV-së, ndërsa flitet se ai nuk do të jetë kandidat i partisë së Kurtit edhe për një mandat në zgjedhjet lokale të tetorit.

Në anën tjetër, deputetja e VV-së, Drita Millaku ka dalë hapur duke u vetshpallur kandidate për kryetare të Prizrenit. /Ballkani.info/