A po (dez)informohemi nga gazetarët qytetarë?

Në ditët e sotme, të gjithë jemi medie.

Cilido prej nesh që së paku ka një telefon të mençur dhe përdorë një nga rrjetet e shumta sociale, mund të ushtrojë rolin e një lloj gazetari.
Në këtë aspekt, nuk kërkohen çertifikime e as tituj të profesionit gazetaresk. Thjeshtë, një ngjarje e sapondodhur mund të bëhet lajm dhe të raportohet live nga qytetarët e rastit.

Kur flasim për gazetarinë qytetare, është e rrugës që të mundohemi t’i japim një lloj definimi; pra, gazetaria qytetare pak a shumë nënkupton raportimin nga një individ apo grup individësh të një ngjarjeje nga vendi ku ajo ndodhë. Personi që sheh një ngjarje interesante duke ndodhur (një aksident, një sulm, një vjedhje, një rast korrupsioni e shumë të tjerë) ka mundësi që atë ta filmojë dhe ta publikojë në një nga rrjetet sociale.
Këtu kemi të bëjmë me dy taborre.

1. Personi apo personat që kryejnë një rol të tillë mund të kapin atë që gazetarët nuk e kanë parë dhe më pas, këtyre të fundit, mund t’ua lehtësojë punën në trajtimin e mëtuttjeshëm të temës.

Ky lloj raportimi mund gjithashtu të nxisë reagime e debat tek masa. Pra, publikimi i ngjarjeve nga venddodhja, mund të ndikojë tek vëmendja dhe vetëdija e masës.

2. Në anën tjetër, në kohën kur profesioni i gazetarisë është zbehur, mund të themi që gazetaria ka rënë në duart e atyre që nuk janë të thirrur për këtë lëmi. Gazetaria po përjeton një lloj transformimi(lexo: krizë) sidomos në vitet e fundit me rrjetet sociale ku gjithsecili e quan vetën gazetar dhe merr në duar timonin e informuesit publik.

Që të jemi sa më konkret; gazetarët qytetarë po e tkurrin vetë gazetarinë sepse raportimi i tyre shpeshherë është i mangët, i njëanshëm dhe joetik e joprofesional.

Në kohën kur numri i informatave është si një oqean i pafund, mundësia e dezinformimit është tepër e madhe.
Gazetarët qytetarë rrezikojnë (që shpeshherë e bëjnë) të shkelin etikën gazetareske.

Gazetari i ndërgjegjshëm ka disa kondita për të cilat ka dhe duhet të ketë njohuri si dhe t’u përmbahet. Ai nuk i lejon vetës të transmetojë diçka që nuk përbënë lajm apo e cila është e ndjeshme për shoqërinë.

Pra, që të vijmë në një konkluzion sado sipërfaqësor e modest, gazetaria sot krahas disa sfidave me të cilat po përballet, ka edhe këtë, gazetarinë apo gazetarët qytetarë.

Këta lloj gazetarësh duhet të dijnë që me ose pavetëdije, po ia ngarkojnë një barrë më tepër gazetarisë profesionale (të ushtruar nga profesionistët) dhe në të shumtën e rasteve, po krijojnë amulli e konflikte tek masa e gjerë që domosdo, ka nevojë për t’u informuar.