A po del që Haradinaj pati të drejt kur thoshte se Rama bashkë me Vuçiqin dëshiron ndarjen e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kishte filluar polemikat me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj nga koha kur temë kryesore ishte demarkacioni me Malin e Zi. Rama kishte thënë se demarkacionin si temë e shpiku Haradinaj. Kjo bëri që aso kohe Haradinaj të reagonte ashpër, por që gjithçka përfundoi me nga një gotë verë në shtëpinë e Haradinajt dhe marrëdhëniet mes tyre u përmirësuan dukshëm.

Në nëntorin e vitit 2018 Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për sanksione ekonomike ndaj Serbisë dhe Bosnjes duke vendosur taksë 100% për mallrat e ketyre shteteve. Kjo masë ndëshkuese kishte ardhur pas fushatës propagandistike të diplomacisë serbe duke e penguar antarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe organizata tjerë ndërkombëtare.

Presioni ndërkombëtar ishte i vazhdueshëm për ta shfuqizuar këtë taksë, sepse dialogu nuk po vazhdonte. Beogradi zyrtar kishte deklaruar se nuk ka dialog pa u larguar taksa.

Gjatë këtij viti në një takim në Paris ku kishin marrë pjesë presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj ishte diskutuar për largimin e taksës, shkruan Ballkani.info.

Pas këtij takimi, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se ka pasur shumë presion nga Edi Rama për ta larguar taksën, ky i fundit e kishte mohuar këtë akuzë. Madje, ditë më parë kryeministri shqiptar, Edi Rama ka paralajmëruar padi për kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj për shkak që siç i ka quajtur ai shpifje të pabaza në lidhje me presionin e Ramës për heqjen e taksës.

Haradinaj e kishte akuzuar Ramën edhe për përfshirjen e tij në projektin e dëmshëm të ndarjes së Kosovës, si pjesë e projektit me Vuçiqin.

Por, problemi i Ramës me Kosovën është zgjeruar. Bëhet fjalë projektin e ashtuquajtur “mini-shengen ballkanik”, ku pos Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë është ftuar edhe Kosova. Presidneti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka pranuar të jetë pjesë e takimit.

“Si President i Republikes së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese”, ka shkruar Thaçi në Facebook duke i renditur disa argumente.

Ndaj kësaj iniciative ka dalur edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa duke e quajtur këtë projekt si rikthim i Jugosllavisë.

Ky kundërshtim i Kosovës ka ngjallur reagimin e Ramës, madje ai indirekt ka thumduar Thaçin dhe Mustafën duke thënë që nuk ka punuar kurrë në Jugosllavi.

Ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq kishte deklaruar se edhe Kosova duhet të jetë pjesë projektit.

Nga politikanë, gazetarë dhe shoqëri civile në Kosovë po pretendohet se ky projekt ka synim defaktorizimin e Kosovës para marrëveshjes me Serbinë. E gjithë kjo vjen pasi Bashkimi Evropian ka refuzuar fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë për anëtarsim në BE.

Përpos Kosovës edhe në Shqipëri ka kundërshtime të ashpra për një projekt të tillë. Sali Berisha ka ftuar gjithë shqiptarët që ta kundërshtojnë këtë projekt si një komplot ndaj Kosovës.

Pas gjithë këtyre manovrimeve të Edi Ramës në kurriz të Kosovës, tashmë ai është izoluar nga e gjithë klasa politike në Kosovë, përfshirë edhe mikun e tij të viteve të fundit, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. I vetmi që ende nuk ka reaguar është kandidati për kryeministër, lideri i VV-së, Albin Kurti. Të kujtojmë se Kurti ditë më parë ka takuar Ramën në kryeministri në një takim që kishte zgjatur për orë të tëra.

Pas gjithë këtyre gabimeve të Ramës, po del se Haradinaj pati të drejt kur iu kundërvu Ramës në takimin e Parisit. /Ballkani.info/

loading…