A po bëhet ‘sebep’ taksa që Mimoza Kusari të jetë në krye të Qeverisë Teknike? Flet deputetja

Taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës kundrejt produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, po vazhdon të jetë njëra nga temat më të komentuara në Kosovë dhe jashtë saj.

Përderisa, ShBA-të dhe disa vende mike i kanë kërkuar Kosovës që ta pezullojë taksën, është i pari i qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili është i vendosur që taksa të vazhdojë deri në arritjen e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, raporton Ballkani.info

Andaj, sipas burimeve të Ballkani.info, taksa mund të bëhet ‘sebep’që Qeveria e Kosovës të shkojë drejt një Qeverie Teknike, në krye me deputeten, Mimoza Kusari-Lila.

Në një intervistë të shkurtër me Ballkani.info deputetja Mimoza Kusari-Lila, në lidhje më lakimin e emrit të saj si e para e Qeverisë, ka thënë se këtë e ka dëgjuar vetëm përmes mediave dhe se diçka zyrtare nuk ka rreth kësaj.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: A jeni kontaktuar nga dikush për të marrë përgjegjesitë si kryeministre e një Qeverie Teknike?

Mimoza Kusari-Lila: Jo përveçse kam dëgjuar prej juve mediave.

Ballkani.info: Si e vlerësoni mbështetjen e kandidaturës nga PDK-ja?

Mimoza Kusari-Lila: Nuk ka zyrtarisht mbështetje ose propozim, ajo ka dalur vetëm në media. Pra, gjithçka ka dalur prej burimeve mediatike, nuk ka të konfirmuar asgjë. Unë nuk mundem me spekuluar diçka të tillë.

Ballkani.info: A jeni takuar me dikënd nga PDK, në lidhje me këtë?

Mimoza Kusari-Lila: Jo!

Ballkani.info: Flitet që brenda Qeverisë së Kosovës mbështetje të madhe po ju jep zëvendëskryeministri Pacolli?

Mimoza Kusari-Lila: Nuk e di, sepse krejt këto po i dëgjoj prej jush, nuk i kam biseduar me personat në fjalë që ju po i përmendni, e as me zëvendëskryeministrin Pacolli dhe as me anëtarët e PDK-së.

Ballkani.info: A do ta hiqnit taksën në ditën e parë si kryeministre?

Mimoza Kusari-Lila: Kjo është spekulative dhe nuk lidhet pozita vetëm me emrin, pozita do të lidhet me politikat e parimet, prandaj po flasim për një temë që është tërësisht e ndërtuar në bazë vetëm të fjalëve dhe jo në diçka reale. Në momentin kur mundet me pas diçka prej shtetit konkrete atëherë mundemi me thënë çka është duke u trajtuar për këtë temë, se tani për tani është vetëm spekulative edhe nuk mundem unë me hy në ciklin e spekulimeve të njëpasnjëshme , në raport me poste pozita , në pozicione pa u diskutuar parimet objektivat e politikat konkrete.

Ballkani.info: Supozojmë që bëheni e para e Qeverisë së Kosovës, a e shihni të rrugës pezullimin e taksës?

Mimoza Kusari-Lila: Po prapë po them që po spekuloni, kështu që spo jap përgjigje për këtë punë. /Ballkani.info/