Përplasjet

A pati auditim në Radiotelevizionin e Kosovës?

Pas kritikave të fundit në drejtim të Televizionit Publik, ka reaguar edhe një herë menaxhmenti i RTK-së duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Auditorin e Përgjithshëm dhe me institucionet tjera shtetërore. RTK, sipas drejtorit të përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati, është audituar edhe herëve të kaluara, por nuk ka pasur raport të publikuar. E për këtë çështje, vitin e kaluar është deklaruar edhe auditori i përgjithshëm Besnik Osmani.

Java e fundit ka qenë përplot kritika për udhëheqësit e Radio Televizionit Publik të Kosovës se nuk po e lejojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit që ta auditojë RTK-në.

Por, ishte vetë auditori i përgjithshëm Besnik Osmani që në qershorin e 2020-s ua sqaroj deputetëve të Kuvendit, pjesë të Komisionit për Buxhet e Transfere, se auditimi në RTK nuk varet as nga vullneti i Bordit të televizionit e as nga vullneti i tij personal, porse është ligji ai që e cakton një auditor të pavarur për auditimin e pasqyrave financiare të këtij mediumi publik.

Siç shihet në procesverbalin e Komisionit që mban datën e 17 qershorit të 2020-s, Osmani  kishte treguar se të njëjtën situatë e kanë edhe me institucione tjera publike në Kosovë.

Këtu u ishte përgjigjur pyetjeve të Komisionit nëse zyra e auditorit kombëtar mund ta bëjë një raport të tillë e nëse të njëjtin mund ta ketë Kuvendi.

“Sa i përket kryerjes së auditimit të rregullsisë për RTK-në është një problem ligjor, ku kemi një nen në Ligjin për Radiotelevizionin e Kosovës, ku thuhet se bordi i RTK-së e cakton një auditor të pavarur për auditimin e pasqyrave financiare të këtij mediumi publik. Kjo nuk na ndalon ne dhe nuk kemi pengesa që të bëjmë auditime tona të performancës. Mirëpo për t’u bërë auditimi i rregullsisë duhet të fshihet neni përkatës në Ligjin për RTK-në. Një situatë të tillë e kemi edhe me disa institucione tjera publike. E kemi rastin me Fondin Pensional, ku parashihet auditim nga auditori i pavarur, por kanë bërë kërkesë që të auditohen nga zyra kombëtare e auditimit vullnetarisht”, kishte deklaruar një vit më herët Osmani në Komision.

Të hapur për bashkëpunim ishin shfaqur edhe drejtuesit e Mediumit Publik, dhe kjo dëshmohet edhe përmes komunikimeve që drejtori Ngadhnjim Kastrati ka pasur me Zyrën e Auditorit qysh nga 2019-ta.

Kastrati thotë se janë të hapur edhe tash për bashkëpunim, i bazuar gjithmonë në ligj. Ai thotë se në vitet 2018 e 2019 Auditori Kombëtar ishte në RTK, por nuk e di pse ky institucion asnjëherë nuk i ka bërë publike dokumentet.

“Neni 37 i ligjit për RTK thotë se mbikëqyrja e veprimtarisë së RTK-së kryhet nga organet e autorizuara për një gjë të tillë nga ligji dhe Statuti. Pika 3 e këtij neni thotë se përveç personave të autorizuar për të kërkuar përgjegjësi në emër të anëtarëve të organeve menaxhuese dhe mbikëqyrëse të përcaktuara nga ligji, Kuvendi i Kosovës gjithashtu është i autorizuar të kërkojë një përgjegjësi të tillë”, thekson Kastrati.

Të hapur për bashkëpunim me Auditorin Kombëtar e me Kuvendin si themelues i RTK-së u deklarua një ditë më herët edhe Bordi i Radiotelevizionit Publik.

Ndërkohë javën e ardhshme para Komisionit për Buxhet e Transfere të Kuvendit pritet të dalë për votim raporti tre mujor I shpenzimeve të RTK-së derisa pikë e rendit të ditës do të jetë edhe alokimi i mjeteve për tremujorin e ardhshëm siç përcaktohet me ligj.