A mund të transformohet FSK-ja në Ushtri për 4 vjet ?

Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në një Ushtri me kapacitete të plota. Kështu, të paktën parashihet me fillimin e transformimit të saj përmes tri ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Një premtim ndryshe në këtë fushatë zgjedhore e ka dhënë kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti derisa ka siguruar se kjo do të bëhet në një afat prej 4 vjetësh.

Por, këtë mundësi që transformimi i FSK-së në Ushtri të bëhet për 4 vjet po e sheh të pamundur njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se këto kanë qenë premtime elektorale.

“Ato kanë qenë premtime parazgjedhore në kuadër të koalicionit. Ato duhet rishikuar në kuptimin e asaj çka z.Kurti ka premtuar dhe unë jam për atë që kjo të zvogëlohet nga 10 vjet tranzicioni i FSK-së gati në gjysmë, por edhe jo edhe në 4 vjet që është tejet shumë. Këtë e lidhi në aspektin e asaj duke pasë parasysh që ai plan i tranzicionit është parapa në tri faza dmth zhvillimi i kapaciteteve njerëzore, teknologjisë, trajnimeve dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me integrimin e FSK-së”, tha ai.

Problem për Ibishin do të jetë çështja e buxhetit ngase planifikimet janë bërë për 10 vjet.

Por sipas tij kjo mund të zgjidhet në bashkëpunim me LDK-në, me ekspertë të kësaj fushe.

“Çka është më kruciale është çështja e buxhetit, pra buxheti siç është paraparë për 10 vjet në mënyrë graduale të realizohet, tani duhet atë 10 vjet me e fut në 4 vjet dhe tash ajo nxjerr probleme në planifikimin buxhetor gjegjësisht ndarjes së mjeteve për këtë vijë buxhetore të tranzicionit. Kjo duhet të bëhet në rend të parë me partnerët e koalicionit, në rend të parë me LDK-në, të bëhet një marrëveshje, të mblidhen ekspertë dhe të propozojnë modalitetin nga dy partitë më të mëdha, por edhe nga të tjerët që i bashkëngjitjen që kjo periudhë të zvogëlohet, por jo në atë ekstrem sepse realisht nuk mbërrijmë t’i përballojmë as financiarisht në aspektin buxhetor, por edhe në aspektin e plotësimit të kuadrove. Unë mendoj se do të duhej të zvogëlohej në 6 vjet sepse 4 vjet është tranzicion i shpejtë”, tha ai.

E duke folur për shërbimin ushtarak në Kosovë, thotë se kjo duhet të bëhet, por jo në mënyrë obligative.

“Shumë e qëlluar, shumë vende jo vetëm në rajon, por edhe në skandinavi edhe në Evropë e Botë për shkak të rreziqeve të testimeve të reja, por edhe kur flasim për ushtritë profesionale ato shpejt po plaken dhe ato hyjnë në atë fazën që duhet të rifreskohen me kuadro të reja, ndërsa ajo struktura bazë po dobësohet. Mendoj që një ide e tillë është e qëlluar. Shërbimi ushtarak, por jo në mënyrë obligative sepse aty është e drejta e qytetarëve që të marrin mësimin ushtarak dhe të jenë pjesë e një strukture sepse ata më pastaj mund ta zgjedhin profesionin”.

“Ne kemi pasë kuadro mjaftë, por duke i anashkaluar në qeverisjet e mëhershme janë përzgjedhur zakonisht militantët e partisë në ato pozita apo dikush që ka qenë më i vjetër në parti dhe jo një personalitet një kuadro i qëlluar, kjo na ka kushtuar për arsye se nuk është lehtë që një person që fare nuk e njeh atë lëmi, vjen një mjek apo dikush tjetër aty pa e nënçmuar profesionin, por mendoj që ai duhet t’i ketë njohuritë për atë lëmi që ta zotojë me qëllim që t’i bëjë politikat, por edhe ta mbikëqyrë sistemin”.

Ibishi në këtë intervistë ka folur edhe për mundësinë e koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së derisa e krahasoi atë me martesën.

“Koalicionin po e lidhi me martesën, martesa bëhet nganjëherë nga dashuria e thash si e bën jeta nganjëherë nuk them që është një martesë e detyrueshme, por mendoj që ky koalicion po provohet për herë të parë. Është një entuziazëm, një vrull rinorë i VV-së edhe kapacitetet që realisht i ka LDK-ja, ato s’duhet të mohohen, por gati nuk janë fut në funksion të mirëfilltë, për këtë duhet ta kritikojë LDK-në për arsye se çdo herë kanë bë balanset më tepër politike kur ka qenë çështja e zgjedhjes së kuadrove. Ky miksim në mes një entuziazmi, vrulli rinorë dhe kuadrove që ka LDK-ja në sistem mendoj se do të bëhet një qeverisje e shkëlqyeshme”, tha ai.

loading…