A mashtroi deputetja e VV-së kur tha se familja e gruas në foton e rrejshme kërkoi heqjen e saj?!

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci kërkoi sot nga mediat që të largohet fotografia e viktimës së dhunës seksuale, e që në fakt po del që fotografia është e rrejshme dhe është pjesë e një filmi pornografik irakian.

Gjatë seancës së Kuvendit, Bogujevci ka thënë se këtë kërkesë e kanë bërë familjarët e saj dhe kritikuar deputeten Flora Brovina për publikimin e kësaj fotografie.

Mirëpo, sonte, deputetja duket se i ka ndryshuar fjalët. Ajo tha se u kontaktua nga familjarë të viktimave seksuale nga lufta, që i reaguan publikimit të asaj pamjeje, shkruan Ballkani.info.

“Kisha kërkuar nga mediat që të hiqet fotografia që u paraqit më herët, është kërkesë në fakt e familjarëve, janë të shqetësuar, kanë kontaktuar KRCT-në ku e udhëheqë z.Feride, e cila më njoftojë që janë tepër të shqetësuar. Kështu që, kisha kërkuar që të respektohen dhe të largohet ajo fotografi. Tjetra, z.Brovina më vjen shumë keq, por është komplet e padrejtë që u bë ajo. Shihet viktima, po thua që është gjallë, imagjinoje nëpër çfarë traume kalon ajo kur e sheh nëpër krejt mediat vetën e saj dhe familjen e saj. Plus të tjerash edhe familjare të tjerë që kanë kaluar nëpër trauma të njëjta ta shohin atë fotografi. Kjo i bie të mos trajtohet me dinjitet ai person. Po flas edhe vet nga përvoja ime, që nëse dikush e kish postua një fotografi të ngjarjes në momentin kur ka ndodhur çfarë traume do të ishte për mua. Është e padrejtë dhe është e padinjitetshme, po flas për viktimat, e di qysh është. Më fal nuk e di a ke qëlluar ti me të ndodh diçka e tillë dhe me e pa vetën në krejt mediat në atë gjendje”, tha sot gjatë ditës, Bogujevci.

Mirëpo, Feride Rushiti, të cilës i referohet Bogujevci, ka thënë sonte se “gruaja” e paraqitur në foton e publikuar nga Flora Brovina “nuk është kliente e jona”.
“Ajo [Flora Brovina] nuk na ka treguar se cfarë fakte ka, vetëm na ka thënë se ka fakte, por nuk na ka treguar ato”, ka thënë Rushiti. /Ballkani.info/