Alicia Kearns

“A kemi parë deklaratë të tillë për rrëmbimin e tre policëve dhe sulmin në Banjskë” – deputetja britanike reagon ndaj deklaratës së Hovenierit

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, mbrëmë ka reaguar duke thënë se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.

Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, teksa tha se këto veprime po i rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-të të shërbejnë si avokues për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

E ndaj një qëndrimi të tillë të ambasadorit amerikan, ka reaguar deputetja e britanike, Alicia Kearns.

Në një reagim në “X”, Kearns ka pyetur ambasadorin Hovenier se ku qëndron bilanci këtu.

“Ku është bilanci? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA-të pas rrëmbimit të paligjshëm të tre policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist të Banjskë mbetet ende e shurdhër”, ka shkruar Kearns.

Ndryshe ndaj veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, ku kanë kërkuar që të shmangen veprimet e njëanshme që mund të shkaktojnë tensione.

VIDEO BONUS: Ndalimi i dinarit, Hovenier: S’e di si mund të shmanget frustrimi te serbët lokalë, jam i shqetësuar