Abazi thotë se LVV mirëpret propozimin e LDK-së që të japin edhe një ministri për pozitën e presidentit

Lidhja Demokratike e Kosovës, është e gatshme të heq dorë nga një ministri dhe të udhëheq vetëm katër ministri, në mënyrë që të arrihet marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje, marrëveshje kjo ku do të jetë e përfshirë edhe pozita e presidentit.

Kështu ka deklaruar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, i pari i LDK-së, tha se janë të interesuar për koalicion të qëndrueshëm më LVV-në, dhe që nuk do të sfidohej për gjatë mandatit.

E, këtë propozim të LDK-së, e kanë mirëpritur në Lëvizjen Vetëvendosje. Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Haki Abazi në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se ky propozim është hap i rëndësishëm drejt arritjes së marrëveshjes.

“Sapo e dëgjova propozimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, është zhvillim pozitiv drejt arritjes së marrëveshjes së përbashkët qeverisëse. Mirëpo, sigurisht është një ndër hapat drejt marrëveshjes, siç kam thënë për me arrit një marrëveshje të qëndrueshme dhe duhet me i shqyrtu me kujdes, dhe ky është hap i rëndësishëm”, ka thënë Abazi.

Mirëpo, duket se tashmë nuk ka koordinim në deklarata brenda LVV-së se çfarë duhet të pranohet e çfarë jo, shkruan Ballkani.info.

Ndryshe nga Haki Abazi, mendon Albulena Haxhiu, një nga aktivistet e para të VV-së.

Deputetja e zgjedhur e VV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë me anë të një postimi ka dalë kategorikisht kundër kërkesave të LDK’së që derivuan nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj të fundit.

Pas mbledhjes së Këshillit, Kryetari i LDK-së doli më herët në konferencë ku kërkoi që pjesë e marrëveshjes me VV’në të jenë të gjitha postet shtetërore.

E Haxhiu e VV-së është deklaruar kundër këtij qëndrimi.

“Mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm e përdorën për ta betonuar apetitin e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Tutje ajo ka përmendur kërkesat që i ka LDK ndaj VV’së për formimin e qeverisë.

“Përveç që i duan zv.KM e parë, 5 ministri dhe gjysmën e programit, LDK e don edhe kryeparlamentarin edhe presidentin”, ka shtuar ajo.

“Pra, e duan gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër! Jo falemnderit”, ka përfunduar ajo. /Ballkani.info/