A ka përçarje në Lëvizjen Vetëvendosje?

Rrugës për ta rritur Lëvizjen e tij, Albin Kurti po e hapte derën për këdo, që mund të kishte ndikim diku. Tani kur LVV ka pushtetin të marrë vendime, dallimet kanë nisur të vihen në pah. Dhe nuk po bëhej fjalë më veç për një grup divers. Frytet e mish-mashit, me raste janë bërë pengesa për LVV-në. Këta muaj janë bërë publike kritikat e disa prej zyrtarëve partiakë dhe deputetëve ndaj Qeverisë, dhe anasjelltas.

Gazeta Express

Në Vetëvendosje, dikur Lëvizjen e vogël e të majtë, rrugës u bënë bashkë ëndërrimtarët e Shqipërisë etnike dhe kosovocentrikët; ata që fyejnë Shën Terezën dhe Skënderbeun, me ata që e komentonin afërsinë e Kosovës me presidentin turk, R.T. Erdogan. U bënë bashkë edhe homofobët me liberalët. Ata që vinin nga partitë e djathta, u vunë në krye të LVV-së.

Tash me LVV-në në pushtet, kur është në dorën e shumicës për të votuar ligje e për të marrë vendime, dallimet u vunë në pah.

Një grup i deputetëve të LVV-së, bindjet e të cilëve në fakt ishin të njohura që moti, nuk e votuan Projektkodin civil edhe pse atë ua kërkoi shumë udhëheqja e partisë.

Paria e partisë, përfshirë kryeministrin Kurti dhe shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, u kishte kërkuar të gjithë deputetëve të tyre që ta votonin pro nenit të Projektkodit Civil, që do të lejonte bashkësitë civile të personave të gjinisë së njëjtë. Një grup i deputetëve të LVV-së nuk i dëgjoi ata. Përpos votës kundër, ky grup i deputetëve të VV-së morën fjalën për të fyer komunitetin LGBTQ dhe shprehur homofobi.  

Ministrja e Drejtësisë i ka quajtur të papranueshme disa fjalime të deputetëve në përgjithësi, ndërsa, javën e kaluar, në një intervistë në KTV, tha se “hatri i ka mbetur” të deputetët e LVV-së.

Megjithatë, qëndrimi i tyre nuk ishte i panjohur për LVV-së, e as për publikun, kur ata u futën në listë për deputetë. Për shembull, deputeti i VV-së, Gramos Agusholli, kishte publike qëndrimet e tij kundër komunitetit LGBTQ+. Edhe deputeti Eman Rrahmani disa herë kishte shprehur haptas qëndrimin e tij kundër të drejtave të këtij komuniteti.

Por, nuk janë vetëm Kurti, pse Haxhiu, të pakënaqur me disa prej deputetëve. Edhe këta ndonjëherë shprehin paknaqësitë e tyre ndaj Qeverisë, a ndonjë pjesëtari të saj.

Deputeti i LVV-së, që vjen nga Podujeva, Fatmir Humolli, nuk është i kënaqur veçanërisht me ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin. Humolli përdor shprehjen “gjakderdhje financiare”, për ta ilustruar atë që, sipas tij, po vazhdon edhe me Qeverinë Kurti. Këtë shprehje, në gjuhen politike e ka futur Kryeministri Kurti, por ky për t’i sulmuar ish-pushtetet.

“Gjakderdhja financiare që është bërë, është duke vazhdu gjakderdhja financiare. Vetëvendosja, kemi kërku që kena me ndalë këtë. Kam kërku prej qeverisë që me ndalë. Edhe nuk ka ide se qysh me zhvillu. Unë i kam thanë Albin Kurtit unë hy në listë, por me kushtin që duhet me u bë 1 mijë fshatra prodhuese. Me 1 mijë fshatra prodhuese, tash Qeveria e Kosovës që është, nuk vjen me bisedu as nuk kam mundësi me bisedu, që është ministri që nuk merr vesh për Bujqësi. Nuk e di ai çka ka të kryer, por ai nuk merr vesh për Bujqësi dhe tash çka ke me bisedu me të”, ka thënë Humolli në një intervistë në televizionin lokal “TV Llapi”.

Disa ditë më parë, një nga zyrtarët e LVV-së, që gjatë qeverisë “Kurti I” ka qenë zëvendësministër iu bashkua turmës që po e kritikonte ministren Rozeta Hajdari, pas një postimi të saj për aksidentin, ku kishte goditur një fëmijë me veturë. Ajo shkruante se një fëmijë i është përplasur për veture.

“Domethënë fëmiu* e ka përplas veturën, e jo vetura fëmiun. *fëmija”, shkroi Jakurti më pas në Facebook.

Pakënaqësitë Qeveri – Grup Parlamentar ndërrojnë anë, kohë pas kohea. Ishte rasti i shpenzimeve të derivatëve të LVV-së, ajo që kishte kthyer kundër tyre publikisht disa aktivistë e zyrtarë.

Për shembull, Jusuf Ulaj, këshilltar i Kryeministrit Kurti, priste reflektim nga grupi parlamentar i VV-së. Disa pjesëtarë të këtij grupi, kryesonin listat bashkë me Pal Lekajn e Duda Baljen, për shpenzimet më të mëdha, kompensimin e të cilave e ka bërë Kuvendi.

“Shumë nga ne që në Lëvizjen Vetëvendosje jemi për parime dhe ndaljen e të këqijave në këtë vend, presim reflektim nga Grupi Parlamentar që na përfaqëson! Shpenzimet në karburante duhen sqaruar dhe ndalur”, shkruante Ulaj, në fillim të shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton nismën e nismën e opozitarëve për t’u lejuar qytetarëve që të tërheqin 30 për qind të kursimeve nga Trusti, për shkak të krizës së shkaktuar nga rritja e çmimeve dhe inflacionit. Inicuesi i kësaj, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se në Kuvend është dorëzuar kërkesa për t’u votuar tërheqja e 30 për qindëshit, dhe, sipas tij, këtë e kanë përkrahur 12 deputetë. Kjo nuk është konfirmuar, ndërsa deputetja e LVV-së, Fitore Haxhiu ka thënë se “qëdrimi i LVV-së dihet”.