A ka lidhje zgjatja e mandatit të Izedin Bytyqit nga Liburn Aliu me tenderin që Haradinaj ia përmendi Durmishit?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK’së), Ramush Haradinaj, në seancën e 27 majit të Kuvendit pati dalë me disa dokumente për të argumentuar se si sipas tij Qeveria Kurti e ka nisur shumë keq punën, siç tha ai.

Haradinaj u tha kabinetit të ri qeveritar se “Ju jeni vërtetë më të korruptuar sesa krejt të tjerët që kanë qenë përpara”.

Ish-kryeministri tregoi një fotografi ku zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi është parë duke drekuar me një biznesmen, të cilit sipas Haradinajt, i është dhënë tender nga kjo ministri pasi Durmishi e kishte marrë detyrën e re.

“Hysen Durmishi është këtu në një drekë pune me punëdhënësin e tij të mëhershëm para se të bëhet zëvendësministër. Po e respektoj punëdhënësin, s’po ia përmendi emrin. Ky këtu, menjëherë si ka hy në ministri, punën e parë, tenderin e parë e ka marrë kjo kompani”, tha Haradinaj.

Ai tha gjithashtu se në Ministrinë e Infrastrukturës është I punësuar një njeri që Lëvizja Vetëvendosje dikur e kishte quajtur “babai i tenderëve” dhe “kupolë e krimit”.

“Qeveria Kurti e ka nisur bukur keq me çështjen e korrupsionit…. Ky njeri sot është ministër i rendit. Ky njeri më ka marrë në pyetje si deputet për personin e quajtur Nexhat Krasniqi i cili sipas tyre është babai i tenderëve, kupola e krimit dhe dikush që vërtetë nuk bën të punojë në gjykata. Kështu ka ardhë deri te shkarkimi i tij. E me sa marrë vesh unë, Z. Nexhat Krasniqi me gjasë tash u la, u bë i mirë, është në punë te ministri Liburn Aliu dhe i kryen funksionet e veta. Pra, njeriu për të cilin një Kosovë ka dëgju, temë ka qenë, disa herë jam detyruar të japë sqarime si kryeministër. Në Qeverinë Kurti ai është rehat. Ndoshta ai është bërë i mirë, ose këta kanë ndryshu, nuk e di”, pati thënë Haradinaj.

E duket se sot kjo edhe u vërtetua, pasi që sipas raportimeve të mediave, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ai ka vazhduar mandatin edhe për gjashtë muaj sekretarit të kësaj ministrie, Izedin Bytyqit.

Durimishi në anën tjetër pati reaguar pas fjalimit të Haradinajt, duke thënë se e njeh biznesmenin në fjalë.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimt Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se biznesmenin, kompania e të cilit fitoi tender në këtë dikaster, ka pranuar se e njeh që nga viti 2001.

Durmishi ka treguar se pronarin e kësaj kompanie e kishte ndihmuar me fjalë e këshilla profesionale. Ai tha se Haradinaj është në “siklet të madh” dhe se atij po i dhemb fakti i anulimit të një tenderi nga kjo ministri.