Më 25 mars të këtij viti ishte shtyrë seanca e paraparë të mbahej lidhur me kontestin gjyqësor mes Universitetit të Prishtinës dhe Kishës Ortodokse.
Esat Kelmendi, Sekretar i Universitetit të Prishtinës, e cila ka paditur Kishën Ortodokse për pronësinë e parcelës së tokës në kampusin e universitetit, pati bërë kërkesë të shtyhet seanca për arsye të mungesës së provave.
Kelmendi kërkonte kohë që të sigurojë prova se si është bërë kalimi i të drejtës së pronësisë prej Komunës së Prishtinës tek Kisha Ortodokse.
“Ne kemi mungesë të dokumentacionit në kadastër, ku mungojnë librat kadastralë që dëshmojnë se si është regjistruar pronësia e tokës dhe kalimi i të drejtës së shfrytëzimit të tokës prandaj na duhet kohë për të siguruar këto prova”, tha aso kohe Kelmendi, raportonte kallxo.com.
Është e çuditshme se si sekretari i UP-së nuk kishte arritur ta komplentonte lënden për të ashtuquajturën kishë, pasi që Universiteti i Prishtinës qysh në vitin 2012 e kishte paraqitur rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës për uzurpim të pronës nga Kisha Ortodokse Serbe.
Një kërkesë e tillë për shtyrjen e seancës nga ana e Kelmendit mund të konsiderohet skandaloze.
Pse është skandaloze, sepse qysh në vitin 2017, Kelmendi kishte paralajmëruar përgatitjen e padisë së re për Kishën Ortodokse, pasi që Apeli e kishte hedhur poshtë aso kohe padinë e UP-së.
“Ne nuk kemi marrë veprime tjera të reja pas vendimit të parë kur na ka hedhë poshtë arsyeshmërinë që e kemi marrë Gjykata Themelore, dhe është dashur të presim vendimin e Gjykatës së Apelit sepse kemi shpresuar se ata do të jenë pak më të drejtë dhe do të japin një qëndrim në këtë çështje. Njëjtë kanë vepruar edhe ata, ne kemi marrë aktvendimin me 3.11.2017, dhe menjëherë kemi filluar përgatitjen për inicimin e padisë së re ndaj përfaqësuesit të Kishës ortodokse”, kishte thënë atëherë Kelmendi.
E Kelmendi, sekretar i kahmotshëm në UP, njihet edhe për telashe tjera gjatë punës së tij.
Ai në vitin 2017 ishte marrë në pyetje nga policia për një rast në UP. Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës kishte filluar hetimet pas hulumtimit të emisionit “Jeta në Kosovë” për rastin e Rozafa Koliqit, të cilës i është mohuar e drejta për t’u zgjedhur asistente në departamentin e Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë.
Po ashtu Kelmendi përflitet edhe për raste tjera.
Mirëpo, sot do të raportojmë për një pretendim që e involvon Kelmendin në punën e tij që e ka bërë para luftës.
Ballkani.info ka arritur deri te një dokument, në bazë të cilit pretendohet se sekretari i UP-së ka punuar në Hekurudhën e Kosovës deri në maj të vitit 1998, e që aso kohe njiheshin si Hekurudhat e Serbisë.
Sipas këtij dokumenti, Esat Kelmendi ka qenë pjesë e kësaj hekurudhe deri më 25 maj të viti 1998, kur në Kosovë tashmë kishte shpërthyer lufta.
Për të vërtetuar këto pretendime, Ballkani.info ka shtatë ditë që i ka dërguar pyetje Kelmendit, mirëpo ai nuk është përgjigjur nëse kjo është e vërtetë apo ajo.
Ballkani.info mbetet i hapur që të publikoj çfarëdo reagimi apo dëshmie tjetër që mund ta ofrojë Kelmendi lidhur me këtë çështje, pasi që qëllimi është të dihet e vërteta e plotë.







