Lideri në largim i LDK’së, Isa Mustafa, në disa paraqitje publike, ka lëshuar kritika në drejtim të zyrtarëve të partisë që thanë se do të garojnë për shef partiak. Ka thënë se kandidaturat për udhëheqës të Partisë së Rugovës do të bëhen në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK’së.
Lufi Haziri, Vjosa Osmani, Agim Veliu ka kohë që nuk kanë thënë asnjë fjalë për kandidaturat e mundshme për Kryetar të LDK’së.
Heshtja e tyre ka ardhur pas kërkesave të Kryetarit në largim të LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka kërkuar të mos shkelet Statuti i Partisë, por të pritet Kuvendi i Përgjithshëm për të shpallur kandidaturat për shef partiak.
Lideri aktual i LDK’së ka vendosur të mos tregojë nëse do të jetë përsëri pjesë e garës për Kryetar. Të njëjtën metodë e pati përdorur edhe kur e kishte rrëzuar Fatmir Sejdiun nga pozita e Shefit të LDK’së, ku e kishte shpallur kandidaturën vetëm kur kishte shkuar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
Sidoqoftë, edhe Fatmir Sejdiu, ish-Kryetar i LDK’së, ish-President dhe njëri prej themeluesve të LDK’së është shprehur i gatshëm t’i hyjë garës edhe në zgjedhjet e fundit në LDK ku Isa Mustafa e rimori mandatin e dytë në krye të partisë.
Lutffi Haziri e ka pranuar se do t’i hyjë garës për Shef të LDK’së duke kërkuar edhe një marrëveshje të madhe politike brenda partisë.
Vjosa Osmani nuk e ka sqaruar pozicionin sikurse ka bërë edhe Agim Veliu.
Pavarësisht problemeve shëndetësore, Isa Mustafa, ende s’e ka thënë përfundimisht se nuk do të kandidojë për Kryetar partia. Kur ishte bërë Shef i LDK’së herën e parë, kandidaturën s’e kishte publikuar deri në ditën kur ishte mbajtur Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së.
Avdullah Hoti, nuk i ka shuar të gjitha shpresat për t’u bërë Shef i LDK’së, pavarësisht se është lënë anash në krejt këtë garë.
Kujtim Shala, aktualisht, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka vendosur të tërhiqet nga gara për Shef partiak.
Edhe Imri Ahmeti ka thënë se nuk do t’i hyjë garës vetëm nëse një gjë e tillë i kërkohet.
Ndryshe, Isa Mustafa, kishte marrë LDK’në në fundin e vitit 2010, kur kishte mundur Fatmir Sejdiun. Prej atëherë, Mustafa ka shënuar tri humbje të zgjedhjeve nacionale, ka humbur Komunën e Prishtinës, por ka rikthyer disa komuna që me herët e kishte humbur LDK’ja përfshirë Pejën, Gjilanin e Lipjanin. Isa Mustafa ishte rizgjedhur Kryetar i LDK’së në mandatin e kaluar me aklamacion pasi nuk e kishin lejuar të kishte kundërkandidat. Vjosa Osmani kishte dështuar të mblidhte nënshkrimet për ta sfiduar Mustafën.
Vitin e kaluar, Shefi i LDK’së kishte pasur probleme shëndetësore derisa ishte trajtuar Gjermani. Gjatë gjithë kohës, LDK ishte udhëhequr prej Nënkryetarëve të Partisë. Aktualisht, LDK ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament dhe numrin më të madh të Komunave.
Zgjedhjet në LDK pritet të përfundojnë në vjeshtë pasi të kryhet edhe raundi i dytë i komunave ku kjo parti kishte rezultatet të këqija në zgjedhjet e fundit.







