Sot janë bërë 12 vite që kur ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari, dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Pavarësinë e Kosovës.
Derisa SHBA-të përkrahnin planin e Ahtisaarit dhe mendonin se Kosova duhet të bëhej e pavarur, serbët vazhduan ta kundërshtojnë.
12 vite më pas, analisti politik Imer Mushkolaj, ka folur se sa ka gjetur zbatim në Kosovë propozimi i Ahtisaarit.
Në një prononcim për Ballkani.info, ai tha se po të mos ishte ky propozim, sot nuk do ta gëzonim këtë pavarësi të cilën e kemi me plot mangësi e probleme.
“Për kohën kur është publiku apo më mirë të themi kur është hartu ka qenë dokument i rëndësishëm mbi të cilin edhe është shpallë Pavarësia e Kosovës. Pakoja e Ahtisaarit në atë kohë e patë ndarë edhe opinonin publik sepse disa ishin kundër disa për, por tash prej kësaj perspektive të gjithë duhet të pajtohen se po të mos ishte propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisaarit, sot nuk do ta kishim as këtë pavarësi që sot e kemi me të gjitha mangësit dhe problemet me të cilat ballafaqohet”, ka thënë Mushkolaj për Ballkani.info
Sipas Mushkolajt shumë pika të pakos nuk janë zbatuar në praktikë por sipas tij nuk është faji te pakoja por tek palët që nuk kanë pasur vullnet politik.
“Duhet të konsiderohet si dokument i rëndësishëm edhe pse pjesët e tij mund të mos jenë zbatuar në praktikë ka pika që nuk janë realizu, këtu nuk është faji i pakos së Ahtisaarit por për shkak se palët nuk kanë pasur vullnet politik që të zbatojnë atë.”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se më 29 mars 2007, Parlamenti Evropian miratoj një rezolutë me 490 vota pro, 80 kundër dhe 87 abstenime, ku shprehej përkrahja për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën./Ballkani.info







