Presidenti

A është obligim ligjor që Thaçi të japë dorëheqje?

Ditë më parë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, mbajti një konferencë për media ku u deklarua lidhur me situatën e krijuar pasi Prokuroria Speciale ka publikuar një propozim-aktakuzë kundër tij dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.

Në këtë deklaratë ndër të tjerash Thaçi tha se në politikë ka mundësi të ketë bërë gabime, por se asnjëherë s’ka bërë krime lufte.

E në shumë raste është komentuar mundësia e dorëheqjes nga presidenti Thaçi, veprim ky që ishte ndërmarrë më parë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, pas ftesës nga Prokuroria Speciale.

Avokati Arianit Koci deklaroi se Thaçi nuk e ka obligim ligjor dorëheqjen, mbetet tek ai të vlerësohet nëse do ta bëjë apo jo.

“Unë mendoj se prej momentit kur është publiku informata është deponu informata ai tash është me duar lidhur të veprojë si president, e patë që dhe prej BE-së u lajmëruan se njëherë do të ngrijnë raportin do t’i ulin komunikimet me presidentin. Ai ka vendos ashtu, obligim ligjor nuk ka pas, dikush mendon se atë ditë është dashur të japë dorëheqje”, tha Koci.

Gjithashtu edhe vetë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se obligim ligjor nuk e ka pasur as ish-kryeministri Ramush Haradinaj e s’e ka as presidenti Thaçi, por se është vendim i secilit veç e veç.

“Nëse të goditet kryeministri me ftesë, edhe Presidenti atëherë roli i bartësve të institucioneve në këtë rast karshi me Serbinë është më i vogël”, tha Selimi.

Ndërsa Ehat Miftaraj deklaroi se në aspektin ligjor presidentit s’e ka për detyrë të jap dorëheqje, por se në aspektin moral dhe etik Thaçi do të duhej të jepte dorëheqje, me qëllim të ruajtjes së integritetit të zyrës së Presidentit.

“Dhe duke parë interesin e përgjithshëm para atij personal, do të tregohej korrekt nëse do të jepte. Vetë fakti se vendet mike do të hezitojnë të mbajnë takime me Thaçin, i njëjti do ta mbajë peng zyrën e Presidentit, pa komunikuar me partnerët tanë strategjik, pa hy në raport me dialogun me Serbinë që lidhen me interesat e Kosovës”, tha ai.