Kush është ndjekës i rregullt i këngëtares Era Istrefi në “Instagram” mund ta ketë vënë re që pothuajse në çdo foto të saj nuk mungon komenti i producentit dhe DJ të njohur Diplo. Ata janë njohur gjatë realizimit të këngës “Live it Up”, ku Era Istrefi këndonte së bashku me Nicky Jam dhe Will Smith, e Diplo ishte producent i projektit.
Gjithashtu artistja shqiptare ka bashkëpunuar dhe me kolegë e miq të DJ-it fitues të çmimit “Grammy”, si “Dimitri Vegas & Like Mike”, e për këtë arsye mendohej se midis tyre kishte lindur një miqësi e ngushtë.
Megjithatë burime për “Panorma Plus”, kryesisht miq të afërt të Erës, pohojnë se mes saj dhe Diplos ka më shumë se miqësi, madje ata kanë nisur një histori dashurie në SHBA. Siç bëhet me dije nuk bëhet fjalë për një flirt të rastit, por për diçka serioze, edhe pse ata kanë zgjedhur të mos dalin hapur më medie.
Kujtojmë që Diplo u shpall fitues i çmimit “Grammy” me një tjetër artiste shqiptare, Dua Lipën, për këngën “Electricity”. Dhe gjithashtu ai njihet si një përkrahës i madh i këngëtareve që vijnë nga Kosova, pasi në Ditën e Pavarësisë së këtij shteti u shpreh tekstualisht: “Vajzat kosovare po pushtojnë botën”.







