A është kjo arsyeja se pse ndërkombëtarët nuk e lejuan Anton Qunin të bëhet më herët ministër?

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, tha mbrëmë se vështirë që qeveria e re mund të ketë sukses për shkak të ministrave të papërvojë.

Haliti ka komentuar edhe profilet e ministrave të qeverisë së re.

Ai ka thënë se Anton Quni është propozuar edhe në të kaluarën për Ministër të FSK-së, por thotë se ndërkombëtarët kanë penguar një emërim të tillë.

“Kam dëgjuar se Fatmir Sejdiu e ka pasur të preferuar Antonin për Ministër por që ndërkombëtarët nuk e kanë pranuar”.

Megjithatë, Haliti ka hezituar të thotë se pse kishte ndodhur kjo. Ndoshta Haliti këtë e ka bazuar në deklaratat ish deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, i cili në një seancë kohë më parë kishte thënë se vëllezërit e Qunit janë marrë me fajde, shkruan Ballkani.info.

“E di se çka bëjnë edhe vëllezërit e tij, me çka merren, a punojnë ndershëm a merren me fajde a me çka”, kishte thënë Beqa.

Pas kësaj akuze, kishte reaguar Quni, i cili pati thënë se vëllezërit e tij merren me punë normale.

“Ata merren me tregti”, ka shtuar ai.

Më tej Quni pati theksuar se për ato që ka thënë Hajdar Beqa duhet të tregojë vetë se për çka e ka pasur fjalën.

E përplasja e Qunit me Beqajn është e vazhdueshme. Ata të dy ishin përplasur edhe në Komisionin Hetimor Parlamentar që u mbajt për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ku i ftuar ishte edhe presidenti Hashim Thaçi.

Deputeti Quni, e quajti Beqën avokat të keq të presidentit, duke i thënë se “në luftë një pengesë nëse të ka dalë ke ikë menjëherë”.

Por Beqaj pas kësaj akuze ju kishte përgjigjur Qunit se nuk e dinë as se çka është lufta.

“Ti je kanë edhe je frikacak, ti nuk e dinë se çka është lufta, ti ke luftuar nga Shqipëria, je shumë i vogël të më tregosh për luftën”, tha Beqa.

Ish deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa pati treguar për një takim që ka pasur gjatë luftës me Qunin tek liqeni i Komanit.

“Me njësitin kemi qenë duke kontrolluar pjesëtarët e UÇK-së për të mos i lejuar të dezertojnë nga lufta për shkak se motivi kishte rënë pas vrasjes së Agim Ramadanit. Aty kam edhe Anton Qunin të cilin e kemi ndalur. Ne kemi pasur leje që me shiku mos ka ndonjë nga dezerter që po ikte nga lufta që të mos e lejojmë me shku në Shqipëri. E kam ndalu edhe Anton Qunin. Ai ka dëshmu se ka leje nga Rrustem Berisha ndryshe nuk e kishim lëshu”, pati deklaruar Beqa në T7.

Ndryshe sipas deputetit të PDK-së, Quni nuk do të lejohej të shkonte.

“Nuk kish mujtë më shku Anton Quni, pa lejen e Berishës”, ka thënë Beqaj. /Ballkani.info/