A është ende herët për të hequr masat kufizuese në Europë?

Teksa shumë shtete në Europë kanë filluar të lehtësojnë masat kufizuese, po shtohen debatet nëse presioni për të hequr këto masa mund të risjellë një valë vdekjeprurëse të COVID-19.

Austria, Danimarka dhe disa rajone të Italisë filluan pjesërisht hapjen e pjesshme të disa bizneseve të cilat konsideroheshin si jo të domosdoshme, ndërsa Spanja ka kthyer në punë disa punonjës ndërtimi dhe fabrikash.

Në të njëjtën kohë, Franca dhe Belgjika ka shtyrë afatin e masave izoluese, duke e ndërlikuar përpjekjen e BE për të koordinuar një strategji daljeje përgjatë kontinentit, por çdo shtet po përpiqet të mbrojë njëkohësisht shëndetin publik dhe nga ana tjetër të ringjallë ekonominë.

Bota po përballet me një ekuacion të vështirë, nga njëra anë hapja e shpejtë mund të sjellë një valë vdekjeprurëse nga COVID-19, por nga ana tjetër mbajtja e bizneseve të mbyllura rrezikon rrënimin e tyre.

IMF-ja parashikon që ekonomia botërore do të përjetojë rënien më të madhe që nga Depresioni i Madh, ndërsa Eurozona pritet të tkurret me rreth 10 për qind.

Janë të shumtë shkencëtarët që po i rezistojnë thirrjeve nga qeveritë për të “relaksuar” rregullat në terma afatmesëm, duke paralajmëruar se virusi nuk është mposhtur ende.

“Mendoj se është shumë shqetësuese që njerëzit po diskutojnë që ka ardhur koha që të lirohen masat, ajo që duhet të kujtojmë është se nuk ka një mënyrë të lehtë daljeje nga kjo”, thotë për Euronews epidemiologia Dr Emma Hodcroft.

“Nuk është se ekonomia do të rimarrë veten nëse karantinën e heqim nesër. Njerëzit do vazhdojnë të vdesin dhe do të vazhdojmë të kemi ekonomi të keqe sepse jeta nuk do të vazhdojë si normalisht kur spitalet janë të mbushura”.

“Duhet të gjejmë një rrugë të mesme dhe këtu hyjnë testimet, gjurmimi dhe izolimi”.

Është kjo qasja që ka funksionuar në Tajvan dhe që Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është thelbësore në mënyrë që të frenohet virusi teksa lirohen masat kufizuese.

Kur duhet të fillojë kjo periudhë tranzicioni?

“Në përgjithësi, duhet të vërejmë një rënie të rasteve të reja përpara se të konsiderojmë heqjen e këtyre masave”, thotë Dr Hodcroft.

“Duhet të jemi të sigurt që e kemi nën kontroll, duhet të presim për një rënie të të prekurve”.

Edhe teksa masat lehtësohen kjo nuk do ta kthejë situatën në normalitet, sipas parashikimeve masat e distancimit social mund të qëndrojnë deri në 2022.