A ekziston kjo vajzë dhe a është vërtetë e dashura e Olsi Bylykut?!

Verifikimi i lajmit është një ndër problemet kryesore që kanë mediat online në vend. Mungesa e burimeve njerëzore nga njëra anë, por edhe ekspertizës së nevojshme nga ana tjetër, bën që shpesh herë, mediat online të kthehen padashje në burim dezinformimi duke shpërndarë lajme të paverifikuara.

Nisur nga kjo situatë që po zgjat prej kohësh , rrezikut gjithnjë e në rritje nga Inteligjenca Artificiale sa i përket manipulimit, por edhe për të dhënë një mesazh për të gjithë mbi nevojën e verifikimit, në redaksinë AlbEu bëmë një test përmes një “lajmi” të stisur mbi një lidhje të hamendësuar të aktorit të njohur Olsi Bylyku.

Fillimisht, prodhuam imazhin e një vajze me tipare thuajse perfektë përmes Inteligjencës Artificiale me programin “Midjourney”. Kur prodhuam imazhin, i kërkuam programit që ta na bënte foton e një vajze të bukur, teniste, bjonde duke pozuar si modele.

Programi na ofroi disa alternativa, por ne menduam që më pranë imazhit të vërtetë të një njeriu është fotoja e mëposhtme.

Vajza duke perfekte! E dashura ideale për një djalë si Olsi.

Më pas, të dashurës imagjinare të Olsit i gjetëm dhe vendin e qëndrimit. Për ta bërë sa më të besueshme, e vendosëm në Holandë, ku ajo punon si modele.

Pasi shpjeguam përmes një videoja më parë se çfarë po “kurdisnim” për t’i shpëtuar ndonjë syri vigjilent që mund të na kapte “mat” para se ne të tregonim se ç’kishim bërë, publikuam lajmin në web dhe pritëm.

Nga verifikimet që kemi bërë, deri më tani, kur s’janë bërë ende 24 orë, lajmi është ripublikuar nga të paktën 27 portale duke iu referuar ose jo linkut tonë.

Teksti rezulton të jetë ndryshuar pak ose aspak, por fotoja e të dashurës imagjinare të Olsi Bylykut është e njëjtë, ajo që kemi prodhuar ne përmes Inteligjencës Artificiale.

Shumë prej përdoruesve të rrjeteve sociale përgëzojnë aktorin për “zgjedhjen ideale” që kishte bërë, ndërkohë që të tjerë kanë pyetur edhe për ditën e dasmës, nëse do të ketë.

Mjafton ky test i vogël për të kuptuar se sa të cënueshëm jemi të gjithë përballë Inteligjencës Artificiale, por edhe nevojës që ka media për të VERIFIKUAR para publikimit!

Redaksia ka fshirë atë lajm nga rrjetet sociale tonat dhe nga web-i dhe e ka zëvendësuar me këtë tekst! /AlbEu.com