A e prishi VV-ja heshtjen zgjedhore në Podujevë? VIDEO

Të shtunën, në heshtje zgjedhore, dikush ua dërgoi një mesazh telefonik disa qytetarëve nga Podujeva me të cilin i ftoi llapjanët ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet për kryetar komune.

Ky veprim përbën shkelje të rregullit për ndalim të fushatës, një ditë para votimit.

Mirëpo nga Lëvizja Vetëvendosje mohuan se e kanë organizuar, apo e kanë lejuar shpërndarjen e kësaj thirrjeje.

“Ne nuk jemi në dijeni për këto mesazhe, sikurse nuk është në dijeni as shtabi zgjedhor në qendrën tonë në Besianë. Rrjedhimisht, mesazhe të tilla as nuk janë dërguar nga ne e as me lejen tonë”, deklaroi zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu.

Kurse drejtuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, tha për Klan Kosovën se gjatë ditës nuk kanë pranuar asnjë ankesë për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Përkundër disa thirrjeve nga Klani, autori i SMS-it nuk u përgjigj në telefon.

Forma të këtilla janë praktikuar edhe nga përkrahës të partive tjera gjatë kohës së fushatës, por nuk dihet nëse vazhduan edhe në ditën e heshtjes zgjedhore.