A e përkrah Sllovakia e Lajçakut heqjen e vizave për Kosovën? Flasin nga Bratislava

Sllovakia, shtet prej nga vjen edhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, vazhdon të jetë një prej pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Megjithatë, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, nga Bratislava kanë konfirmuar se respektojnë vlerësimin e Komisionit Evropian që konstaton se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe thonë se e kanë parasysh edhe vlerësimin e Parlamentit Evropian për të njëjtën çështje.

Derisa shtojnë se një vlerësim i brendshëm sllovak për qëndrimin rreth liberalizimit të vizave për Kosovën është në zhvillim e sipër.

Në një përgjigje nga zyra për media e Ministrisë së Jashtme të Sllovakisë kanë theksuar se Bratislava zyrtare ka demonstruar fleksibilitet dhe konstruktivitet për një numër të madh çështjes që kanë të bëjnë edhe me zhvillimin socio-ekomomik të Kosovës.

“Sllovakia ka demonstruar fleksibilitetin dhe konstruktivitetin e saj në gamë të gjerë të çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës. Sa i përket liberalizimit të vizave, ne respektojmë vlerësimin e Komisionit Evropian i cili përcakton se Kosova i ka përmbushur kriteret standarde dhe kemi marrë parasysh konfirmimin e vlerësimit nga Parlamenti Evropian. Vlerësimi i brendshëm sllovak në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën aktualisht është duke u zhvilluar”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.

Me 13 tetor në Bruksel është mbajtur takimi i Grupit Punues për Viza ku është diskutuar rasti i Kosovës. Nga diskutimet e brendshme, sic ka raportuar REL, Franca e përkrahur edhe nga katër shtete të tjera ka vendosur që të kushtëzojë liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

Kjo ka nxitur mjaft reagime dhe ka bërë që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të ftojë për një takim në Presidencë edhe ambasadorin e Francës në Kosovë. Osmani ka kërkuar që shqetësimet e disa vendeve lidhur me sistemin ETIAS të mos ndikojnë në vendimin e shteteve për çështjen e liberalizimit te vizave për Kosovën.

Në rast se Kosova kushtëzohet me funksionalizimin e sistemit ETIAS, liberalizimi i vizave nuk do të ndodh deri në nëntorin e vitit 2023. Nga Komisioni Evropian kanë konfirmuar dje për Gazetën Express se aktualisht ky sistem s’është funksional dhe se pritet të vihet në punë në çerekun e fundit të vitit të ardhshëm.