A e pengoi Rugova vizitën e Berishës në Kosovë? Lutfi Haziri akuzon dy faktorë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ligjërisht vizitën e Sali Berishës në Kosovë e ka bërë përfaqësuesi i UNMIK-ut në Kosovë.

Haziri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, i pyetur nëse Rugova e kishte penguar vizitën e Sali Berishës në Kosovë ka mohuar një gjë të tillë.

“Ibrahim Rugova asnjëherë nuk ka pasur autoritet ligjor sa u përket lejimit ose jo vizitave në Kosovë. Ai ka pasur autoritet absolut sa i përket mbështetjes qytetare”, tha ai.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se Përfaqësuesi special i OKB-së i ka bërë pengesat ligjore për Sali Berishën ndërsa sipas tij pengesat politike ja kanë bërë strukturat e Qeverisë së Përkohshme që kanë dalë pas lufte në Kosovë.

“Emri i Sali Berishës në Kosovë dhe ardhja e tij në Kosovë ka nënkuptuar LDK dhe mbështetje masive për LDK-në dhe janë frikuar pritjes masive që ka mundur të ndodh”.

Haziri thotë se Rexhep Mejdani si president i Shqipërisë dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë janë pritur shumë ftoftë në Kosovë për shkak të përkatësisë së tyre politike.