A e mashtroi Kurti, Grenellin duke e shikuar në sy për taksën? Ja çfarë thotë kryeministri në largim

Kryeministri në largim, Albin Kurti, ka reaguar pas deklaratave të fundit të emisarit të Trumpit për Kosovë, Richard Grenell. Grenell tha se Kurtin e kishte shikuar në sy dhe ai i kishte thënë se do ta heqë taksën.

Postimi i plotë i Kurtit:

Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë. Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV. Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca. Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi. Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy. Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet. Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial.