Në fund të vitit 2018, deputeti nga radhët e AKR-së, njëherish edhe këngëtari i njohur, Labinot Tahiri në një prononcim për Ballkani.info kishte theksuar se në rast se nuk ndodh liberalizimi i vizave për Kosovës, deri në fund të vitit, ai së bashku me familjen do të dorëzonte pasaportat personale, duke përfshirë këtu edhe atë të Shqipërisë.
E në janar të këtij viti, Tahiri mbajti fjalën e tij dhe përmes një video në rrjetin social Facebook, njoftoi për dorëzimin e pasaportës së tij, duke thënë se po ‘vet-izolohej’ në shenjë proteste për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Tahiri u pa vetëm me përcjellësit e tij dhe dorëzoi vetëm pasaportën e tij të Kosovës, ndërsa jo ato të familjes siç ishte thënë më parë.
Deri më tani, Tahiri nuk ka bërë asnjë njoftim rreth pasaportës së Shqipërisë, se a do ta dorëzojë edhe atë.
Pasaporta e Shqipërisë, mund të përdoret për udhëtime pa viza brenda zonës Schengen.
Ballkani.info ka tentuar të kontaktojë me deputetin por kontakti ka qenë i pamundur. /Ballkani.info/







