Ka kohë që gara për Prishtinën ka filluar. Tanimë partitë politike kanë zyrtarizuar personalitetet me të cilët synojnë ta fitojnë kryeqytetin. Partia në pushtet, e cila edhe ka udhëhequr me kryeqytetin për dy mandate ka vendosur që të kandidojë me ministrin e Shëndetësisë Vitia.
Natyrisht që për shumë kë kjo kandidaturë në fillim shihej si e pa konkurrencë në garën për Prishtinë, si dhe fitorja e Vitisë shihej si punë e kryer tashmë. Në anën tjetër, Daut Haradinaj kishte kohë që kishte filluar aktivitetin e tij në Prishtinë.
Fillimisht kandidatura ishte befasi për opinionin por njëherit ishte edhe një shtytje që edhe partitë e tjera të dalin me kandidatura serioze. Haradinaj me energjinë e tij befasoi të gjithë. Fillimisht pranë vetes ndërtoi ekip ekspertësh dhe njohës të të gjitha fushave, ndërsa në listën për asamble përfshiu personalitete të respektuara në Prishtinë. Tani kur situata me pandemi është jashtë çdo kontrolli, Vitia më nuk e ka atë primat që e kishte muaj më parë.
Keqmenaxhimi me sistemin e vaksinimit si dhe pakënaqësitë e stafit shëndetësor lidhur me pagesën e shtesave, ka bërë që Vitia nga një figurë e pa prekshme të shndërrohet në një figurë dështuese. Kjo ka vënë në panik Vetëvendosjen e cila po kërkon me ngulm shtyerjen e zgjedhjeve, me shpresë se kjo do t’i shpëtojë nga humbja eventuale në kryeqytet. Siç duket në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe përgatitjes së terrenit për të shtyrë zgjedhjet është vënë edhe pesidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kujtojmë se zgjedhjet e fundit janë mbajtur pavarësisht faktit se Kosova ishte në situatë pandemike, kurse më të zëshmit në kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve ishin pikërisht zyrtarët e partisë që tani është në pushtet.







