Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka anuluar pasditen e së martës fluturimin për në Prishtinë.
Megjithatë, ai duket se tashmë ka ateruar në Tiranë.
Të paktën kështu shihet në këtë linjë ajrore, ku aeroplani i nisur nga Lugano i Zvicrës, atje ku ishte Pacolli, tashmë ka ateruar në Tiranë, shkruan Ballkani.info.

Edhe këshilltari i Kurtit, Arbër Zaimi i cili është nga Tirana, ka shkruar se Pacolli do të aterojë në Tiranë.
Ndërkohë, Pacolli ka vazhduar me ankesa përmes rrjeteve sociale, për trajtimin, sipas tij, të padrejtë.
“Dua të shoh se sa parimorë do të jenë Viola Von Cramon, Nataliya Apostolova e ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë dhe të Amerikës në Kosovë në pengesat që Qeveria po bën ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si Kurti në Parlament. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të rrijë i heshtur ndaj veprimeve anti-kushtetuese të Kurtit”, ka shkruar ai në Tëitter pas orës 17:00.
Pacolli është njëri nga dy deputetët e AKR-së në Kuvendin e Kosovës dhe ai pritet ta votojë qeverinë e re në krye me Avdullah Hotin.
Pengimi i ardhjes së tij në Kosovë po shihet si tentim nga Qeveria Kurti që ai mos të jetë pjesë e votimit të qeverisë së re. /Ballkani.info/







