A do t’i shkarkojë kryeministri ministrat e LDK-së pa lejen e Mustafës?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pyetur nëse duhet të marrë leje nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa për t’i shkarkuar ministrat e kësaj partie ka deklaruar se nuk beson se do të ndodhen para sfidave të tilla.

Kurti tha se do të bashkëpunojnë me subjektet tjera në qeveri në baza të partneritetit.

Ai shton se nuk e mendon se do të ketë ministra që duhet të shkarkohen, e se të gjithë do të funksionojnë sipas programit qeverisës e marrëveshjes që është arritur mes partnerëve.

“Unë dua që të bashkëpunojmë me subjektet e tjera në qeveri me bazat e partneritetit, nuk dua të mendoj se si do të kemi ministra që duhet shkarkuar në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk do të ketë ministra LVV, LDK, NDS e LS, do të jenë të gjithë ministra të qeverisë dhe me programin tonë qeverisës me marrëveshjet që kemi arritur me ndryshimin që e ka votuar populli nuk besoj që do të ndodhemi para sfidave të tilla”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.