A do të vazhdojë Federica Mogherini ta udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi?

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka treguar nëse Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, do të vazhdojë ta udhëheqë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pas kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron ka folur Federica Mogherini e cila ka dhënë një përshkrim të detajuar për atë çka është bërë dhe atë që pritet të bëhet”.

“Interesimi i tyre ka qenë tepër i madh dhe nuk kam parë asnjë shenjë se do t’i merret Federica Mogherinit kjo e drejtë – ajo do të ndërmjetësojë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës edhe më tutje”.

“Nuk besoj që udhëheqja e dialogut do t’i merret Federica Mogherinit, por nuk jam i sigurt se a do të mbahen të gjitha seancat ne Bruksel – besoj se do të ketë seanca edhe në Paris, Berlin dhe gjetiu”.

Pacolli në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se Samiti i Berlinit do të ketë rëndësi të madhe historike sepse sipas tij dy superfuqitë evropiane kanë rënë dakord që të marrin përgjegjësinë për mbarëvajtjen e punëve në Evropë.

“Interesin dhe seriozitetin e këtyre dy fuqive evropiane e kam parë te mënyra si është organizuar konferenca. Nuk është organizuar konferencë vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por janë dëgjuar zërat e rajonit”.

“Ka qenë jashtëzakonisht mirë dhe pozitive për ne, madje mund ta quaj si sukses për Kosovën sepse secili ka pasë brengat e veta ndaj Serbisë”.

“Unë kam parë në një mënyrë një tendencë që mos t’i lihet shumë hapësirë Rusisë në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi ose mos t’i lihet hapësirë që ata të jenë prezent në këtë pjesë të rajonit”.

Ai ka thënë po ashtu se thirrja e takimit të radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris tregon se presidenti francez Emmanuel Macron do të jetë një akter shumë i rëndësishëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Besoj se thirrja e kësaj konference që të mbahet në Paris tregon se presidenti Macron është i përcaktuar dhe është ai që do të jetë përcaktues në dialog”.

“Presidenti francez do të insistojë që të fillojë një dialog i cili do të jetë i shkurtër, shumë intensiv dhe proaktiv si dhe do të insistojë që për 10 minuta takim të humbim 2-3 ditë”.

“Vet intensiteti i kësaj konferencë ne Berlin ka lënë të kuptohet që gjërat do të marrin tjetër kahje dhe kjo do të ndodhë në Paris”.

“Do të kërkohet nga Kosova suspendimin e taksës mirëpo në këmbim do të vihet në tavolinë një dëshmi që dialogu ka filluar dhe do të përcaktohen konturat e dialogut”.

Pacolli është shprehur optimist se ky vit mund të jetë viti kur do të ketë një marrëveshje finale me Serbinë.

“Besoj që gjatë vitit të kemi një traktat të paqes me Serbinë. Nuk është përfolur se Serbia do ta njohë Kosovën, por shumë herë është diskutuar që Serbia kurrë nuk duhet ta pengojë Kosovën në integrimet e veta evropian dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”.