specialja

A do të shkaktojë Specialja ‘tërmet’ në skenën politike gjatë vitit 2019?

Viti 2019 pritet të jetë, ‘viti i Gjykatës Speciale’.

Në fund të vitit 2018, Gjykata Speciale nisi punën e saj me dërgimin e ftesave ndaj ish-pjesëtarëve e UÇK-së për të cilët pretendohet se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Deri më tani nuk dihet saktësisht se sa ftesa janë dërguar nga kjo gjykatë pasi nuk janë bërë publike të gjitha.

Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, Sami Lushtaku, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, Nazif Mehmeti, ish-epror i Zonës Operative të Llapit, Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake, Safet Syla, ish pjesëtar i UÇK-së dhe Remzi Shala ish-pjesëtar i UÇK-së, janë disa nga emrat që kanë konfirmuar ftesën e Speciales.

Pas marrjes së ftesës, Remzi Shala kishte deklaruar se nuk do t’i përgjigjet thirrjes dhe ishte larguar nga Kosova. Për Shalën, nuk e dinë se ku ndodhet as autoritetet kosovare, shkruan lajmi.net.

Lidhur me rastin në fjalë, prokurori Special, Sylë Hoxha i kishte thënë lajmi.net se Gjykata Speciale ende nuk ju ka dërguar ftesë për bashkëpunim por momentin që i thërret autoritetet kosovare do t’i përgjigjen.

Avokatët mbrojtës të lartpërmendurve kanë deklaruar se nuk është bërë e qartë se në çfarë cilësie janë ftuar ata, dëshmitarë apo të akuzuar. Disa nga ta tashmë janë intervistuar.

Në media vazhdimisht janë përmendur emra të personaliteteve të larta shtetërore që do të ftohen nga kjo gjykatë. Politikanë dhe analistë të ndryshëm kanë deklaruar se nëse kjo ndodhë atëherë skena politike e Kosovës do të destabilizohet. Mirëpo, kjo mbetet të kuptohet përgjatë vitit 2019.

Se të gjithë duhet t’i përgjigjen thirrjes së Speciales e ka thënë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Thaçi ka thënë se luftëtarët e Kosovës kaluan nëpër sisteme të njëpasnjëshme gjyqësore për të dëshmuar të vërtetën dhe drejtësinë. Sipas tij, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet të përgjigjet me korrektësi para Gjykatës Speciale.

‘Ftesa nuk është ndonjë kiamet’. Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se qytetarët e Kosovës të cilët me të vërtet i besojnë lirisë së tyre dhe të drejtës nuk kanë pse të shqetësohen

“Luftëtarët e lirisë, kushdo që thirret, shkon, i kryen detyrat e veta dhe kthehet. Pra nuk e shoh, po e quaj ndonjë ‘kiamet’ të madh”.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ditë më parë ka thënë se ata që janë gjykuar më parë nuk do të thirren prapë nga Specialja.

Ai ka theksuar se të gjithë ata që janë ftuar deri më tani për dëshmi nga Gjykata Speciale ‘kanë treguar përgjegjshmëri të lartë’.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 pasi Kosova nënshkroi me Bashkimin Evropian një marrëveshje ku zotohej për zbatimin e shtetit ligjor. Pas miratimit nga Kuvendi marrëveshja e u kthye në ligj.

E gjitha filloi pas raportit të përgatitur për Këshillin e Evropës ‘trajtimet çnjerëzore dhe trafikimi me organe’ i quajtur raporti i Dick Martyt.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar që drejtohet nga Prokurori, ndjek penalisht krime që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës dhe përcaktohen me ligj. Ato janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në vitet 1998, 1999 dhe 2000, në atë territor ku sot shtrihet Republika e Kosovës, të kryera nga njerëz që i kap ligji, krime për të cilat është raportuar në raportin e Dick Marty-t”, është thënë nga zyrtarë të kësaj gjykate.