A do të përjashtohet Vjosa Osmani nga LDK? Flet Haki Rugova!

Në media u raportua se kryesia e LDK-së e udhëhequr nga Isa Mustafa, ka diskutuar nëse Vjosa Osmani duhet të përjashtohet nga partia për shkak të qasjes së saj kundërshtuese ndaj vendimeve të organeve të LDK-së.

Mirëpo, anëtari i kryesisë së LDK-së, Haki Rugova, nuk e ka mohuar një gjë të tillë por as nuk e ka pohuar.

Ai për GazetaBlic thotë se dje është mbajtur një mbledhje me kryetarët e degëve të LDK-së, ku është biseduar për rëndësinë e Statutit të kësaj partie.

Ai tutje thotë se secili në LDK, duhet ta respektojë Statutin e partisë.

 “Ne kemi pasur një mbledhje me kryetarët e degëve, kemi biseduar për çështje të ndryshme, për përjashtimin e Vjosës s’mund të them asgjë, por kemi diskutuar për çështje që kanë të bëjnë me statutin e partisë. Statuti i partisë duhet të respektohet nga secili që është në LDK”, tha Rugova për GazetaBlic.

Muaj më parë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kishte thënë që Vjosa Osmani në asnjë rast nuk do të përjashtohej nga partia.

‘’Në asnjë rast nuk përjashtohet Vjosa Osmani. Do të ulemi të bisedojmë se cilat janë arsyet që cojnë në vendime kundër. Ajo ka dhënë premtime normalisht edhe ne e mbështesim sepse ajo nuk jep premtime në vete pa partinë. Nuk e përjashtojmë askënd, nuk e përjashtojmë as Vjosën’’

Gjatë ditës së djeshme, Osmani ka “sfiduar” Mustafën, duke i kërkuar atij të tregoj se cili është qëndrimi ndryshe i saj.

“Në fakt më mirë se kushdo qoftë do të duhej ta dinte zoti Mustafa. Unë i kam qëndrime e mia që burojnë nga puna ime me kolegë dhe njerëz që vërtetë e duan LDK-në, me njerëz që vërtetë e duan Kosovën në këto dy dekada… Këto qëndrimet kanë qenë gjithmonë të njëjta… Unë sërish i sfidoj se cilin qëndrim e kam ndryshuar….”, tha Osmani.

Vetëm pak ditë më parë, kreu i LDK-së, se Osmani iku nga përgjegjësia e saj si kryetari e Kuvendit, duke e bojkotuar seancën e formimit të qeverisë Hoti.

“Bojkotimi i bashkërenditur i znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit dhe z. Albin Kurti, ish Kryeministër, nuk iu bëri punë. E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i papresedan dhe i papërgjegjshëm”, kishte thënë Mustafa.