A do të ndryshohet orari i kufizimit të lëvizjes për kosovarët

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi është takuar sot me drejtuesit e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, me të cilët është diskutuar për mundësinë e lehtësimit të masave kundër virusit Covid-19.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se kërkesa e gastronomëve ishte që të lejohej shërbimi brenda dhe të hiqet kufizimi i orarit që është në fuqi aktualisht.

“Kam pritur edhe sot në takim drejtuesit e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës me të cilët kemi diskutuar për problemet e këtij sektori dhe mundësinë e lehtësimit të masave. Gastronomet edhe një herë kërkuan që të lejohet shërbimi brenda, duke u respektuar masat në lokale dhe të hiqet kufizimi i orarit që aktualisht është në fuqi”, ka shkruar Krasniqi.