Inflacioni

​A do të ndikojë konflikti në Lindjen e Mesme në inflacion?

Është ende herët për të vlerësuar pasojat ekonomike të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.

Pozicioni i FMN-së është se lufta midis Izraelit dhe Hamasit “ka gjasa të shkaktojë dëme” në ekonomitë e tjera në Lindjen e Mesme.

Analistët botërorë theksojnë se ndikimi ekonomik do të varet para së gjithash nëse dhe sa do të zgjerohet konflikti, gjë që sigurisht do të ndikojë në çmimin e naftës, inflacionin botëror dhe rritjen ekonomike.

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit filloi më 7 tetor me një sulm të Hamasit në një kibuc në Izrael ku po mbahej një festival muzikor.

Të shtunën, ditën e njëzet e një të luftës në Gaza, filloi pushtimi tokësor i ushtrisë izraelite dhe Tel Avivi zyrtar bëri thirrje për një armëpushim pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që bën thirrje për vendosjen e një “armëpushimi humanitar”.

FMN: Dëme për ekonomitë në Lindjen e Mesme

Më herët të mërkurën, drejtoresha ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva vuri në dukje se lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka të ngjarë të dëmtojë ekonomitë e tjera në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Egjiptin, Libanin dhe Jordaninë.

“Kanalet e ndikimit janë tashmë të dukshme,” tha Georgieva të mërkurën në Iniciativën e Investimeve të Ardhshme (FII) në Arabinë Saudite.

Turizmi, siç raporton CNN, me siguri do të preket dhe kostoja e sigurimit të lëvizjes së mallrave do të rritet.

Investitorët do të jenë gjithashtu më të kujdesshëm për të udhëtuar në rajon dhe ekziston rreziku i më shumë refugjatëve në vendet që “tashmë pranojnë më shumë”, shtoi ajo.

“FMN e sheh ekonominë botërore si jashtëzakonisht elastike, por edhe më shumë – të shqetësuar për luftën,” tha Georgieva.

Duke gjykuar nga fjalët e saj, efektet e luftës në ekonomi me siguri do të jenë në rritje, ndonëse, siç tha ajo, tregjet financiare tani për tani janë relativisht optimiste për pasojat.

Agjencia e vlerësimit të kredisë S&P Global vlerësoi gjithashtu se luftimet në Gaza mund të zgjerohen, gjë që do të rezultonte në një goditje më të madhe për ekonominë izraelite.

Të martën, S&P Global uli vlerësimin e Izraelit nga një perspektivë “e qëndrueshme” në një “negative”.

“Perspektiva negative pasqyron rrezikun që lufta midis Izraelit dhe Hamasit mund të zgjerohet më tej ose të ketë një ndikim negativ më të rëndësishëm në treguesit e kredisë së Izraelit sesa ne presim,” tha agjencia e vlerësimit të kredisë.

Tre skenarë të konfliktit të vazhdueshëm

Ekonomistët e agjencisë botërore Bloomberg analizuan efektet e mundshme ekonomike të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit. Ata deklarojnë se gjithçka varet nga mënyra se si do të zhvillohet lufta në javët dhe muajt e ardhshëm.

“Në të gjitha këto raste, drejtimi është i njëjtë – nafta do të jetë më e shtrenjtë, inflacioni do të jetë më i lartë dhe rritja ekonomike do të jetë më e ngadaltë – por madhësia specifike e ndikimit – është e ndryshme. Sa më shumë përhapet konflikti, aq më shumë ndikimi i tij bëhet global dhe më pak rajonal”, theksuan ekonomistët.

Skenari 1 – luftë e kufizuar

Opsioni i parë është që konflikti të mbetet kryesisht i kufizuar në Gaza dhe Izrael.

Në këtë rast, ndikimi global do të ishte si më poshtë: çmimi i një fuçi nafte do të rritej me katër dollarë, rritja ekonomike do të binte me 0.1 pikë përqindje dhe inflacioni do të rritej me 0.1 pikë përqindje në nivel botëror, parashikon ky vlerësim.

Skenari 2 – Lufta “proxy”.

Nëse konflikti nuk mbetet i përmbajtur, supozohet se ai do të përhapet në vendet fqinje si Libani dhe Siria, ku ka formacione të fuqishme paraushtarake të mbështetura nga Teherani – i cili, siç vlerësojnë këta ekonomistë – në thelb e kthen atë në një luftë ndërmjetëse midis Izraelit dhe Iranit (e ashtuquajtura “luftë proxy” – një luftë e iniciuar ose e mbështetur nga një fuqi e madhe që vetë nuk i bashkohet konfliktit).

Në këtë rast, vlerësimi është se nafta do të rritej me tetë dollarë për fuçi, rritja ekonomike globale do të binte me 0.3 pikë përqindjeje dhe inflacioni në botë do të rritej me 0.2 pikë përqindje.

Skenari 3 – luftë e drejtpërdrejtë

Mundësia e tretë është që konflikti të përshkallëzohet në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis dy armiqve rajonalë – Izraelit dhe Iranit.

Në këtë rast, vlerësojnë ekonomistët e Bloomberg, çmimi i naftës do të rritet në 64 dollarë për fuçi, rritja ekonomike globale do të shënojë rënie me një pikë përqindje të plotë, ndërsa inflacioni global do të kërcejë me më shumë se 1.2 pikë përqindjeje.

“Konflikti i drejtpërdrejtë midis Iranit dhe Izraelit është një skenar i pamundur, por i rrezikshëm. Kjo mund të jetë një shkas për një recesion global”, thonë këta ekonomistë.