Sipas deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, zyrtarët e lartë të Këshillit të Sigurisë gjatë vizitës në Kosovë dhe takimeve me liderët e shtetit dhe ata të opozitës, e kanë lënë të hapur mundësinë që amerikanët të largohen ushtarakisht nga Kosova nëse nuk dëgjohen këshillat e tyre për taksën.
“A mundet me ardhë deri tek mbyllja e Bondstillit amerikan? Edhe këtë mesazh e kanë marrë liderët tanë politikë”, ka thënë Zeka.
Sipas tij, shtrenjtë do t’i kushtojë Kosovës loja me dy karta e politikanëve tanë.
“Amerika nuk i ka fort në qejf këto lojërat e g****, sepse vet do bijmë në kazan…”, ka shkruar ai, transmeton Ballkani.info.
Zyrtarët e lartë amerikanë për dy ditë radhazi kanë biseduar gjerë e gjatë me të gjithë akterët politikë në Kosovë, duke përfshirë presidentin, Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Deri më tash, kryeministri nuk ka dhënë shenja të forta se do ta pezullojë taksën për 120 ditë ndaj mallrave serbe, kërkesë kjo e Uashingtonit zyrtar, në mënyrë që të rifillojë dialogu me Serbinë. /Ballkani.info/







