A do të lirohet sot Alexei Navalny?
Fati i aktivistit rus të opozitës Alexei Navalny do të vendoset sot në një gjykatë në Moskë.
Pas dy fundjavave me protesta të mëdha nga mbështetësit e Navalny që kërkonin lirimin e tij të menjëhershëm, gjykata do të vendos sot nëse ai do të dërgohet në burg ose do të lirohet.
Navalny përballet me tre vjet e gjysëm burg, i cili fillimisht u pezullua.
Ai u arrestua në 17 janar në aeroportin e Moskës ndërsa po kthehej nga Berlini, ku ishte shtruar në spital për muaj me radhë pas helmimit të tij me agjentin neurotoksik Novitsok, që gati sa nuk i kushtoi jetën.
Nga ana e saj, Prokuroria e Moskës pretendon se Navalny ka shkelur kushtet kufizuese të pezullimit, prandaj ai duhet të vuajë dënimin e tij siç duhet.
Gjatë protestave që kërkonin lirimin e Navalny, policia ushtroi dhunë dhe midis të arrestuarëve ishte dhe gruaja e Navalny, Julia, e cila është gjobitur me 220 euro për pjesmarrjen në protestë në mënyrë të paligjshme.
Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara për shtypjen e dhunshme” të Rusisë dhe bëri thirrje që Navalny të lirohet menjëherë.
Dhe Gjermania po lëviz në të njëjtën gjatësi vale.