Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa do të takohen sot në tentativën e rradhës për finalizimin e koalicionit qeverisës.
Takimi mësohet se do të mbahet nga ora 15:30 në objektin e Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Në takimin e sotëm pritet të marrin epilog final disa çështje të cilat e kanë mbajtur peng marrëveshjen që nga fillimi, siç është posti i presidentit, si dhe kompensimi i zgjedhjes së kryeparlamentarit nga rradhët e VV-së, pasi që ky post paraprakisht ishte premtuar për LDK-në.
Sidoqoftë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri për lajmi.net sot më herët gjatë ditës tha se pret që marrëveshja të arrihet sot, mirëpo se kjo varet edhe nga Vetëvendosje.
Takimi i sotëm vije pas atij të djeshmit, ku për herë të parë u tha se “ka lëvizje”, mirëpo se nuk ka ende marrëveshje mes palëve.
Ndërkohë, Vetëvendosje gjatë këtyre ditëve pritet të dërgojë shkresë zyrtare tek presidenti Thaçi me emrin e mandatarit për kryeministër.







