A do të ketë probleme të hënën në veri? Flet Erden Atiq

Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, në një prononcim për mediumin shqiptar “Abc News”, tha se nuk pret që të paraqitet ndonjë problem nga e hëna për kryerjen e detyrave kushtetuese, përveç disa “problemeve administrative”.

Atiq, i cili fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje, theksoi se pas shumë vitesh ka filluar demokratizimi i kësaj komune të banuar kryesisht me serbë etnikë.

“Nesër (e hënë) nuk presim probleme, përveç problemeve administrative. Siç e dini pas shumë e shumë vitesh, unë si kryetar i ri i komunës së Mitrovicës së Veriut, mund të mburrem, veç kemi filluar demokratizimin e institucionit të komunës”, tha Atiq.

Ndonëse ceremonia e betimit të Kryetarit të Mitrovicës së Veriut nga radhët e partisë në pushtet, u bë në objektin komunal atje, kryetarët e rinj të Zubin-Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit u betuan në fshatra ku banojnë shqiptarët, larg objekteve komunale.

“Për hyrjen time këtu nuk ka pasur ndonjë problem, pasi prej nëntorit të vitit të kaluar, kemi ardhur 15 delegatë të rinj nga Komuna e Veriut të Mitrovicës dhe as atëherë nuk e kemi pasur asnjë problem”, pohoi Atiq, ndërsa shtoi se – megjithatë – në ditën e emërimit, pati një “miniprotestë” atje.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, por Atiq nuk sheh si problem.

“Mesa unë kam lexuar nga mediat, reagimi ishte që të mos vazhdonim më tutje, pasi institucionet e sigurisë e kanë bërë detyrën për të siguruar hyrjen e kryetarëve të komunave në godinat e tyre. Nuk po më duket shumë problematike”, potencoi Atiq.