Artistja dhe arkitektja, Eliza Hoxha, që së fundi iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk do të kandidojë për Prishtinën por se do të jetë pjesë e strukturave bashkë me Uran Ismailin.
“Unë do të jem pjesë e strukturave bashkë me Uranin dhe nëse rrugëtimi jonë i përbashkët do të ketë një rezultat, atëherë ne do të jemi pjesë e atij rezultati së bashku”.
“Krejt punët që i kam bërë deri më tani, si në muzikë si në këtë pjesën tjetër, asnjëherë nuk i kam bërë për trofe. I kam përcjellë shpesh ndjesitë e mia dhe megjithëkëtë vrazhdësinë që na përcjell në realitetin kosovar, unë kam mbijetuar mirë dhe kam vazhduar të jetoj mirë me veten dhe t’i jap diçka edhe të tjerëve”.
“Kështu që, besoj që edhe në këtë rrugëtim ku shpirti i vërtetë i Prishtinës që është gjymtuar viteve të fundit dhe nuk është prezent, pra softueri që e prodhon Prishtinën domethënë ata njerëz që zakonisht e prodhojnë qytetin nuk janë pjesë e dinamikave, duhet me qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Sepse në shumë raste, jo vetëm në Prishtinë, por në shumë qytete, nëse i merr me përqindje njerëzit më shumë janë pjesa që e konsumojnë qytetin sesa ata që e prodhojnë atë”.
“Kështu që ideja kryesore është që të i aktivizojmë dhe t’i bëjmë të dukshëm akterët që vazhdimisht e kanë prodhuar këtë qytet edhe e kanë luajtur rol në skena të ndryshme, sepse qyteti në fakt është njëfarë skene ku rolet tona ndryshojnë. Në këtë rast, unë për shembull kam qenë pjesë e një skene këndimi, ndonjëherë në një rol dytësor apo edhe minor, ndërsa nesër mund ta kem një rol edhe vendimmarrës”.
Hoxha në Zona B të Klan Kosovës tha se njerëzit po i përtojnë t’i hyjnë politikës dhe se shumica e tyre nuk janë aktivë në ndërtimin e qytetit.
“Poenta kryesore është që të krijohet një mendësi e re. Duke qenë se baza ligjore në Kosovë, sidomos Ligji i Planifikimit Hapësinor, non-stop e përkrahë dhe e garanton të drejtën e çdo qytetari me qenë pjesë e proceseve për qytetin. Por, kjo e drejtë nuk ushtrohet nga qytetarët, ndoshta që nuk e dinë se e kanë atë drejtë apo se e kanë atë vullnet ose se përtojnë të integrohen në procese të tilla politike”.
Hoxha ka thënë se për të përcaktuar diagnozën e Prishtinës duhet bërë një analizë më e gjerë.
“Për ta bërë një diagnozë për Prishtinën duhet një kohë mjaft e gjatë për të analizuar të gjitha këto shtresime, sidomos ato dinamikat e pasluftës, të cilat Prishtina nuk mundur t’i absorbojë edhe i ka përkthyer në një paterne hapësinorë që ka filluar të bëhet e padurueshme për të gjithë neve. E shoh një dozë nervoze në secilin prej neve, e cila është produkt i qytetit. Unë e krahasoj mënyrën se si komunikojmë ne në Facebook, se sa lehtë i gozhdojmë njerëzit dhe i atakojmë ata. E njëjta është e përkthyer edhe në hapësirë pasi secili sheh para shtëpisë, hapësirës dhe interesit të tij që nuk është diçka e keqe. Por, ne nuk mundemi si individë sepse jemi pjesë e një kolektivi. Është e zorshme kur ti jeton në një shtëpi për 50 vjet dhe vjen dikush që vetëm pse ka para ta bën hije për tërë jetën”.
“ Pra, këto dinamika nuk kemi mundur t’i absorbojmë të gjitha këto, prandaj që ta bëj një diagnozë për Prishtinën është shumë e zorshme këtu. Por, esencialja është që është që formula që duhet të gjendet është që së pari të shërojmë Prishtinën”.
Hoxha tha se ka edhe aktivitete kozmetike dhe të vogla që mund të përdoren për të rizgjuar qytetin dhe që njerëzit të jenë më të lumtur.
“Unë mendoj që energjia jonë nuk do të jetë e fokusuar te fajtorët sepse fajtorë jemi të gjithë ne. Disa që kanë vepruar në mënyrë të gabuar dhe disa të tjerë që kemi heshtur para krejt këtyre problemeve dhe ndodhive në qytet. Ne nuk do të humbin energji në fajin e dikujt sesa në ide të reja dhe ide që janë prezente në skenat globale dhe kemi mundësi t’i aplikojmë edhe në Kosovë. Ka shumë të ri që kanë energji të realizojnë veten duke realizuar, ndoshta edhe në ndonjë interes më të madh për qytetin”.
Hoxha tha se nëse në këtë rrugëtim do të jetë bashkë me të gjithë këta mund të jetë platforma e përbashkët e qytetit.
Anëtarja më e re e PDK-së nuk po e sheh si problem që partia e saj nuk ka shumë elektorat në kryeqytet dhe tha se ata kanë një ofertë të re që do të mund të rizgjojë atë.
“Nuk është e pamundur, thjesht ata që nuk kanë përcaktim politik e kanë lirinë absolute se kujt t’ia japin votën. Ata mund ta ndëshkojnë dikë që nuk i ka plotësuar nevojat ose kërkesat e tyre që janë premtuar. Kjo është bukuria e ndryshimeve që mund ta sjellë vota. Ngjyrimet partiake mund të jenë pak të rëndësishme nëse bëhemi më sy çelë dhe më të ndërgjegjshëm si qytetarë. Unë nuk mund të zhvishem nga roli aktivist që e kamë pasë dhe nuk mund të bëhem tjetër njeri.”.
“Mendoj se ne kemi një ofertë dhe do ta prodhojmë një ofertë që do ta rizgjojë shpirtin e Prishtinës dhe besoj që kjo do të jetë e mirë për të gjithë”.
“Unë kam gjet një hapësirë pune dhe besimi në këtë parti që në një moment të caktuar kam vendosur të jem brenda tij”.







