A do të jetë Sami Lushtaku kandidat për kryetar të PDK-së, flet Milaim Zeka

Gazetari Milaim Zeka ka thënë se Sami Lushtaku nuk do të jetë kandidat për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Zeka në emisionin ‘Dpt te Fidani’ në T7 tha se Lushtaku nuk ka asnjë synim që të jetë as edhe anëtar i PDK-së, pasi ai do të fokusohet në kandidimin e tij për kryetar të Skenderajt.

“Sami Lushtaku nuk është kandidat për kryetar të PDK-së dhe nuk do të jetë kandidat. Ai do të tërhiqet nga të gjitha postet e PDK-së, për arsye se ka që një vit e gjysmë që ai njeri ka  bërë një luftë brenda PDK-së që me ju kriju hapsirë njerëzve të rinj.

Lushtaku nuk ka asnjë synim as një pretendim që të jetë anëtar i PDK-së. Ai do të fokusohet në kandidimin e tij për kryetar të Skenderajt”, tha Zeka.

Ndryshe, dje përmes një deklarate lëshuar për media, Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se kanë nisur përgatitjet për zgjedhje të brendshme partiake në të gjitha degët, nëndegët dhe seksionet.