A do të japë dorëheqje nesër? Haxhiu dikur thoshte “shkelësit e Kushtetutës s’kanë vend në institucione”

Sot, Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin me të cilin e ka shpallur kundërkushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial në Kosovë. Kjo ka ngjallur reagime të mëdha në publik dhe njëkohësisht ka aktivizuar edhe Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa pritet që nesër në ora 12:00, ministrja Albulena Haxhiu t’iu drejtohet qytetarëve nëpërmjet një konference për media.

Lidhur me këtë çështje, ende nuk dihet se cila do të jetë përmbajtja e kësaj konference, ose se cilat do të jenë veprimet dhe vendimet e ministres Haxhiu, por e njëjta dikur deklaronte se ata që e shkelin Kushtetutën nuk kanë vend në institucionet e Kosovës, shkruan Paparaci.

Ajo në vitin 2016, teksa bënte thirrje për protestë të Lëvizjes Vetëvendosje deklaronte se “SOT është mundësia të ju tregojmë atyre që shkelën Kushtetutën se nuk kanë vend në institucionet e Republikës së Kosovës.”

Por, nuk ndalon me kaq. Ministrja Haxhiu shpesh herë ka dalë në mbrojtje si një gardiane e Kushtetutës së Kosovës dhe kështu shkruante edhe më 9 prill të vitit 2021.

Ajo shkruante se Kushtetuta është akti mbi të cilin betohen politikanët dhe zotohen ta mbrojnë e avansojnë.

“Kushtetuta është pikënisja e shtetit dhe shoqërisë”, shkruante Haxhiu në statusin e saj.

Haxhiu madje në këtë postim, kërkonte edhe avansimin e Kushtetutës krahas zhvillimit të Demokracisë, duke i bërë komplementare dhe paralele zhvillimin e të dyjave së bashku.

Ministrja Haxhiu tutje deklaronte se Kushtetuta mbetet aty, për çdo zyrtar e qytetar dhe nuk ndërron.

“Krahas zhvillimit të demokracisë gjithnjë shënohet edhe avansim i këtij akti më të lartë juridik. Demokracia dhe Kushtetuta janë të pandashme dhe ecin paralel njëra me tjetrën.
9 prilli për vendin tonë nuk është vetëm datë kur ne kthejmë sytë kah Kushtetuta, por data që nuk ndërron asnjë ditë. Ajo mbetet aty përherë, për çdo zyrtar e qytetar.”, shkruante ajo.

Por, çfarë thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial në Kosovë?

Gjykata ka marrë vendim që ligji të rrëzohet komplet si pasojë e pretendimeve të bazuara dhe se ky ligj bie ndesh me disa nene të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.”, thotë vendimi.