Dhomat e Specializuara

A do të hetojë Gjykata Speciale edhe krimet e pasluftës dhe ato ekonomike?

Gjykata Speciale ka filluar aktivizimin e saj përmes dërgimit të ftesave për intervistim tek të dyshuarit apo dëshmitarët e mundshëm në këtë Gjykatë.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës ku ishte votuar nga shumica e deputetëve të pranishëm.

82 deputetë kishin votuar pro krijimit të kësaj Gjykatë, 5 deputetë kishin votuar kundër kurse një deputet kishte abstenuar, shkruan Ballkani.info.

Në bazë të Ligjit të miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Gjykata Speciale do të hetojë dhe gjykojë rastet e ‘krimeve të luftës’ që kanë ndodhur në periudhën kohore prej vitit 1998-2000.

Sipas njohësit të çështjeve ligjore, Mazllum Baraliu në bazë të Ligjit që kjo Gjykatë është miratuar tash për tash ajo nuk do të duhej të dilte jashtë mandatit dhe intervalit kohor, por nuk përjashton mundësinë e një veprimi të tillë.

“Në bazë të Ligjit që kjo Gjykatë është miratuar tash për tash ajo nuk do të duhej të dilte jashtë mandatit dhe intervalit kohor. Por nuk është jo praktike që Gjykata me karakter të tillë të zgjerojnë mandatin në rast se gjatë punës kanë hapësirë, prova dhe elemente të tjera ligjore për një veprim të tillë”, ka thënë Baraliu për Ballkani.info.

Tutje, Baraliu ka thënë se zgjerimin e hetimeve kjo Gjykatë do të duhej ta bënte me të njejtën procedurë siç edhe është miratuar.

Ai ka kritikuar vonesën e funksionalizimit të Gjykatës Speciale tash e 3 vite dhe ka theksuar parregullsitë e gjetura qysh në fillim.

“Kjo Gjykatë është vonuar tash e 3 vite dhe mënyra se si janë ftuar të dyshuarit apo dëshmitarët, është e parregullt pasi që shumica e të ftuarve nuk kanë informacion se në çfarë cilësie janë duke u ftuar. Kjo bjen në kundërshtim me dispozitat ligjore vendore dhe ndërkombëtare mbi të cilat është ngritur kjo Gjykatë” ka thënë Baraliu.

Në rast të gjetjes së provave dhe materialeve të tjera, Baraliu ka thënë se kjo Gjykatë në procedurë të njejtë, pra përmes Kuvendit të Kosovës të hetojë edhe krimet ekonomike apo rastet e korrupsionit që kanë ndodhur pas luftës. /Ballkani.info/