Gjatë ditës së sotme, me iniciativë të studentëve të Fakultetit të Filozofisë, pritet të mbahet një protestë paqësore që do të fillojë në orën 12:00 tek Bibloteka Kombëtare.
Përkrahjen e protestës e kishin konfirmuar studentë të shumtë por ndër ta edhe fytyra publike.
Deputeti nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri ka konfirmuar ditë më parë pjesëmarrjen e tij në mbështetje të studentëve.
Iniciativa është nisur si shenjë proteste ndaj mos liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët e Kosovës.
Edhe pse ditën e sotme ka pasur sërish reshje të mëdha të borës, protesta nuk është anuluar.
Në një prononcim për Ballkani.info, deputeti Labinot Tahiri ka thënë se ardhjen ia kanë konfirmuar shumë persona e ndër ta edhe kolegë të tij, por që nuk është i sigurtë sa do t’i kenë mundësitë t’i bashkangjiten protestës shkaku i kushteve atmosferike.
“Ardhjen ma kanë konfirmuar shumë persona, ndër ta edhe kolegë të mi të cilët nuk po i ceki me emra sepse nuk e di si i kanë mundësitë. Mendoj që angazhimi do të jetë i madh dhe e vetmja arsye për mos ardhje do të jetë moti pasi që studentët nuk kanë organizuar transport apo diçka të tillë” ka thënë Tahiri për Ballkani.info.
Në fund, Tahiri ka theksuar se iniciativat e tilla do të vazhdojë ti mbështes pasi që sipas tij, ai është njëri nga deputetët që kishte votuar Demarkacionin si kushtin e fundit për liberalizim të vizave. /Ballkani.info







