Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjatë ditës së djeshme u ka dërguar nga një email secilit prej anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Sipas një komunikimi të brendshëm, të cilin e ka siguruar dje Gazeta Blic, Isa Mustafa ka kërkuar nga anëtarët e KP-së që deri më datë 14 prill të përcaktohen nëse janë për apo kundër një koalicioni me AAK-në e Nismën si dhe minoritetet.
“Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm vitin e kaluar, në të cilën kemi diskutuar për koalicionet qeverisëse, kishim preferuar të bëhen përpjekje për koalicion pas zgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Këshilli u shpreh kundër një koalicioni LDK-PDK. Nuk ishte shprehur kundër koalicionit me AAK dhe me Nismën si dhe me partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë. Meqenëse situata ka ndryshuar, kemi nevojë të përcaktohemi për koalicion të ri, në kushtet kur mbi bazën e kritereve kushtetuese do t’i ofrohej LDK-së ta bëjë shumicën për ta themeluar qeverinë”, ka shkruar ndër të tjera Isa Mustafa në këtë letër.
I pari i LDK-së i ka përcaktuar edhe kriteret për përbërjen e kabinetit qeveritar
“Kriter i Qeverisë së re për LDK do të jetë që asnjë anëtar i Qeverisë të mos ketë pasur dhe të mos ketë problem me ligjin, të kenë zotësi profesionale dhe të vlerësohen të pranueshëm nga qytetarët”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.
Por ende nuk dihet se me një koalicion të tillë, do të pajtohen edhe 4 deputetët që votuan kundër rrëzimit të qeverisë Kurti.
Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, përfshirë Vjosa Osmanin, kanë votuar kundër rrëzimit të Qeverisë.Dy deputetë që kanë votuar kundër, ishin Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala.
Së fundi hedhjen e votës kundër ndaj Kurtit, në seancën e 25 marsit, e bëri publike edhe deputeti tjetër i LDK-së, Fatmir Rexhepi.
Ai ka thënë se përgjigja e tij vlen vetëm për Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së dhe se aty i ndan mendimet personale të tij.
“Unë përgjigjen time e kam dhënë në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, aty kam shprehur mendimin tim personal, tash mbetet të shihet tutje”, ka thënë Rexhepi.
Fatmir Rexhepi ishte deputeti i katërt që votoi kundër rrëzimit të qeverisë së Kurtit.
Ai kishte thënë se vota kundër e tij kishte ardhur si pasojë pasi që në një kohë pandemie, Kosova nuk ishte e gatshme të përballej me kriza politike.
“Refuzova, sepse në Kosovën tonë Sui-Generis ndodhi e kundërta nga ana e Presidentit, Qeverisë si dhe drejtuesve të partive politike në ditët me të rënda për qytetarët dhe vendin, duke e rënduar edhe më shumë krizën e përgjithshme sociale, ekonomike dhe politike, në vend se të vazhdojnë qeverisjen dhe të gjejnë kompromiset e bashkëqeverisjes deri në një kohë më të mirë”, ishte shprehur Rexhepi.







